Putin: Operacionet rus në Siri, stërvitja më e mirë ushtarake

Putin sot në Kremlin priti ushtarët rusë të cilët u kthyen në Rusi në kuadër të tërheqjes së një pjese të kontingjentit të ushtrisë ruse nga Siria

 

MOSKË (AA) – Presidenti rus Vlladimir Putin pohon se operacionet në Siri kanë qenë një provim i vështirë dhe i fuqishëm i ushtrisë ruse, por edhe një stërvitje e mirë ushtarake, raporton Anadolu Agency (AA).

Putin sot në Kremlin priti ushtarët rusë të cilët u kthyen në Rusi në kuadër të tërheqjes së një pjese të kontingjentit të ushtrisë ruse nga Siria, ndërsa me këtë rast theksoi se intervenimi rus ka kontribuar në ambientin për fillimin e procesit paqësor dhe ndaljen e luftimeve në këtë vend.

Ai porositi se edhe më tej do të bombardohen bastione të të gjitha grupeve që nuk do të respektojnë marrëveshjen e ndalimit të luftimeve.

“Ushtarët rusë të cilët kanë mbetur në Siri do të përcjellin respektimin e ndalimit të luftimeve. Ushtarët tanë në bazat Tartus dhe Hmeymin do të mbrohen me forca tokësore, ajrore dhe detare. Aty edhe më tej do të jenë të instaluara raketat tona me rreze të shkurtër veprimi Pantsir dhe raketat me rreze të gjata veprimi Triumf S-400. Me këto raketa do të qëllojmë të gjitha objektivat që do të paraqesin rrezik për sigurinë e ushtrisë sonë”, tha Putin.

Duke lavdëruar forcat tokësore, ajrore dhe detare të cilat kanë marrë pjesë në operacionet në Siri, Putin tha se armët bashkëkohore ruse në fushebetejë me sukses kanë dhënë provimin në Siri.

“Ishte provimi më i ndërlikuar dhe më i rëndë. Kjo përvojë do të na shërbejë për të hequr të gjitha mangësitë dhe t’i bëjmë edhe më efikase armët tona, automjetet ushtarake dhe të prodhojmë armë të gjeneratës së re. Nuk është zbuluar stërvitje më e mirë ushtarake për avancimin e aftësive luftarake se nga pjesëmarrja në fushëbetejë të vërtetë. Në këtë aspekt më mirë të harxhohen armët dhe municionet në luftë, se në poligone për stërvitje”, tha Putin.

Presidenti rus me këtë rast dekoroi disa ushtarë rusë të cilët morën pjesë në operacionet në Siri.

 

Artikulli paraprakSchulz: BE do të dakordohet me Turqinë për çështjen e refugjatëve
Artikulli vijuesPrinci Charles dhe Dukesha Camilla takojnë krerët shtetërorë të Kosovës