Ish-presidenti Musharaf akuzohet për vrasjen e ish-kryeministres Bhutto

Në vitin 2007 u vra liderja e atëhershme e opozitës Benazir Bhutto gjatë një mitingu elektoral në Ravalpindi. Gjashtë vjet më pas nis procesi kundër armikut të betuar të Bhuttos.
Në Pakistan ish-sundimtari ushtarak Pervez Musharaf është akuzuar zyrtarisht për përfshirje në vrasjen e lideres së opozitës Benazir Bhutto në dhjetor të vitit 2007. “Ai është akuzuar për vrasje, komplot kriminal vrastar dhe për ndihmë në vrasje“, tha prokurori Chaudhry Azhar me Ravalpindi. Musharrafi nga ana e tij deklaroi se është i pafajshëm, procesi është shtyrë për 27 gusht.
Ish-kryeministrja pakistaneze Bhutto u vra në dhjetor 2007 në një tubim elektoral në Ravalpindi. Në atentatin vetëvrasës dhe të shtënat pas tij u vranë edhe 16 persona të tjerë. Padia kundër Musharrafit për vrasjen e rivales së tij të betuar është diçka e paparë për Pakistanin, i cili gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij është qeverisur nga ushtria.

Musharaf vetë erdhi në pushtet në vitin 1999 përmes një grushteti jo të përgjakshëm. 2008 – në vitin pas atentatit ndaj Bhuttos, atë e larguan nga pushteti pas humbjeje graduale të pushtetit dhe kërcënimit me një proces për largimin nga detyra. Pasuan katër vjet në mërgim në Londër dhe Dubai. Musharafi u kthye në vendlindje në mars 2013 për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në maj. Megjithatë, një gjykatë ia ndaloi atij të vërë kandidaturën. Ish-shefi i ushtrisë ndodhet aktualisht nën arrest shtëpiak në vilën e tij në periferi të kryeqytetit Islamabad. Për paraqitjen në gjykatë në qytetin fqinj të Ravalpindit 70-vjeçari u lejua të dalë në shtëpia.

Dënim me vdekje, apo burgim i përjetshëm?
Dhe tani në vend që të kthehet në politikë atij mund t’i ikë koka. “Musharaf mund të marrë dënimin me vdekje ose do të kalojë gjithë jetën në burg“, vlerëson avokati i tij Azhar. “Ne këtë do ta kërkojmë.”
Avokati i Musharafit Ahmed Raza Kasuri këmbëngul në pafajësinë e mandantit të tij. “Në këtë rast nuk ka prova. Si mund të bëhet kreu i shtetit përgjegjës për një vrasje në vend”, thotë ai. Shumica e ekspertëve ligjorë besojnë se padia nuk mbështetet në baza të forta.”Cilësia e provave”, nuk mjafton për një dënim, thonë ata. “Ato rrëzohen si një shtëpi prej letre”, thotë Fawad Chaudhry, një nga avokatët më të njohur në Pakistan. Ai ka qenë përkrahës i Musharafit para se të largohej prej tij.
Praktikisht Musharafit nuk i jepet asnjë shans për synimin e tij për t’u kthyer sërish në politikë. “Fuqia e tij është e konsumuar”, thotë Zafarullah Khan, i cili kryeson një institucion politik në Islamabad. “Unë nuk mendoj se ai mund të bëhet përsëri një politikan i suksesshëm.” Edhe nëse shpallet i pafajshëm atë ka për ta ndjekur urrejtja e talebanëve. Musharafi ka qenë partner i SHBA-ve në luftën kundër terrorit. Atentatorët vetëvrasës tani duhet të jetë të gatshëm, për ta vrarë atë. “Unë nuk shoh, se si ai mund të jetojë në Pakistan si qytetar i thjeshtë”, thotë Fida Khan, një konsulent pakistanez i sigurisë. Rrjeti Al-Kaeda do që ta kapë atë “me çdo çmim”.

Artikulli paraprakUshtria egjiptiane falënderoi Arabinë Saudite për përkrahjen
Artikulli vijuesKujdes nga ilaçet e kontrabanduara!