Qeveria ofron 27 milionë euro, aplikoni për grante investive dhe subvencione

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka hapur sot periudhën për aplikim për projekte të zhvillimit rural të cilat i përkrah përmes granteve investive nga 60 – 80 për qind në vlerën e përgjithshme të investimit. Fermerët dhe agropërpunuesit tani mund të aplikojnë për të përfituar grante investive në sektorin e blegtorisë për ndërtimin e stallave të reja dhe kompletimin e infrastrukturës përcjellëse në ferma për lopë qumështore, bagëtinë e imtë, majmërinë e viçave, rritjen e zogjve për mish, për pularinë dhe bletarinë.

Ndërsa, në sektorin e hortikulturës, mund të aplikojnë për ngritjen e sipërfaqeve të reja me mollë, rrush tryeze, dredhëza, manaferra, mjedra, bimë aromatike dhe për ngritjen e sipërfaqeve të reja me perime në fushë të hapur dhe në serra.

Ministria e Bujqësisë, përmes granteve investive sivjet do t’i përkrahë fermerët edhe në agropërpunim përmes blerjes së pajisjeve dhe mekanizmit bujqësor për përpunimin, marketingun dhe ruajtjen e prodhimtarisë bujqësore dhe blegtorale. Gjithashtu, vazhdon t’i përkrah ende projektet publiko-private të Grupeve Lokale të Veprimit dhe sivjet do t’i financoj edhe projektet individuale të fermerëve për rregullimin e ujitjes në tokat e tyre bujqësore.

Periudha e aplikimit do të jetë e hapur prej 30-60 ditë dhe vlera e përgjithshme e planifikuar e granteve investive është 15 milionë euro. Ndërsa, periudha për aplikim për të përfituar subvencione, që sillen në rreth 12 milionë euro, do të hapet javën e ardhshme.

Programi mbështetës i Ministrisë së Bujqësisë është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e fermerëve dhe në të janë adresuar edhe shumica e kërkesave të tyre. Vlera e përgjithshme e granteve investive dhe subvencioneve që do t’ju ndahen fermerëve në vitin 2013, arrin në rreth 27 milionë euro. /IO

Artikulli paraprakDanimarkë, ofendime të reja kundër islamit
Artikulli vijuesMe sëpatë sulmon Taxi-të në Zveçan