Qytetet më të rrezikshme në botë?

Një studim i ri për qytetet më të rrezikshme në botë, thyen shumë konceptet në lidhje me botën rreth nesh.

Sipas studimit, në 20 qytetet më të rrezikshme në botë nuk është asnjë qytet nga Lindja e Mesme, Afganistani, Iraku, Afrika, apo ish-Bashkimin Sovjetik. Sipas statistikave, 20 qytetet e tilla janë në Amerikën Latine! Disa e vënë në dyshim studimin.
Studimin e ka bërë organizata meksikane, “Seguridad y Justicia paz”. Në listën e studimit janë qytetet të cilat sipas imagjinatës së evropianëve janë sinonim për ekzotikë, relaks dhe kohë të mirë: Meksiko dhe Brazili. Në vendin e katërt të qyteteve me më së shumti vrasje është Acapulco, vend turistik në Meksikë, për të cilin ëndërrojnë shumë evropianë. Në këtë qytet janë evidentuar 1.029 vrasje në vit.

Sipas studimit, vendin e parë këtë vit për vrasje e ka San Pedro Sula, një zonë tregtare në Honduras me rreth 720 mijë banorë. I dyti është Juarezi, një qytet meksikan në kufirin me SHBA-të, të cilin viteve të fundit e kanë cilësuar si “Bagdadi meksikan”, për shkak të “luftimeve” mes karteleve të drogës dhe forcave qeveritare. Meksiko ka pesë nga dhjetë qytetet më të rrezikshme në botë, ndërsa Brazili i ka 14 qytet në top-50.

I pari pas qyteteve latino-amerikane është një qytet anglo-amerikan. Në vendin 21 është New Orleans, me afro 100 mijë banorë, e me 58 vrasje në vit. Në listë janë edhe tri qytete tjera amerikane: Detroiti, St. Louis dhe Baltimore. Të vetmet shtete që hyjnë në këtë listë nga kontinentet tjera janë katër qytete të Republikës së Afrikës së Jugut dhe Mosuli i Irakut.

Disa e vënë në dyshim seriozitetin e studimit, meqë nuk dihet nëse janë marrë të dhënat nga të gjitha viset e botës, sidomos ato me nam të keq, si: Somalia, Kongo, Afganistani apo disa shtete të Kaukazit. Të dhënat janë nga viti 2011, ndërsa aty nuk është asnjë qytet i Sirisë apo Libisë.

Është interesante se në bazë të këtij studimi del se New Orleans ose St. Louis janë më të rrezikshëm se p.sh. Mahaçkala e Dagestanit (pjesa ruse e Kaukazit), ku viteve të fundit është një luftë jozyrtare e forcave qeveritare kundër islamikëve. Ndërsa, nuk merren parasysh as shumë qytete të Irakut e Afganistanit ku çdo ditë ka sulme në të cilat e pësojnë edhe kalimtarët e rëndomtë, përderisa në qytetet amerikane vrasjet kryesisht ndodhin në kuartet e rrezikshme nga qërimi i hesapeve të bandave kriminale.

/Tg/kohaislame

Artikulli paraprakÇ’është KAMATA?!
Artikulli vijuesGrupi i Kuletës