Rama: Nishani po ridënon Visar Zhitin

Poet i rrallë. I burgosur politik i diktaturës. Shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd. Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës.

 

E propozojmë për ambasador të Shqipërisë në Vatikan. Një figurë lokale e kishës katolike shqiptare prononcohet me rezerva ndaj tij. Prononcim i papranueshëm për të cilin vetë ati në fjalë kërkon ndjesë publike. Komisioni i Jashtëm i Kuvendit i jep Visar Zhitit mbështetje pa asnjë rezervë. Vetë Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë, na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën.

 

Kandidatura është në tryezën e Presidentit të Republikës për firmë. Presidenti i Republikës, përmes një prononcimi për një emision lajmesh deklaron mosdekretimin e Visar Zhitit!

 

Argumenti i zotit President? Kandidati për ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan, paska cenuar kishën me një prononcim publik! Një prononcim ky i fundit në fakt, krejt i pafajshëm dhe, njësoj si poezitë e pafajshme dikur, rifabrikohet si arsye e lartë shtetërore për të ndëshkuar Visar Zhitin.

 

 

 

***

 

Jam zotuar të mos i komentoj në publik kundërshtitë e mia ndaj Presidentit të Republikës. Sepse Bujar Nishani është kalimtar, ndërsa Presidenti i Republikës është një institucion themelor i shtetit shqiptar – edhe pse i rrënuar nga Partia Demokratike në pushtet, njësoj si tërë shteti që ai pushtet la pas në 23 qershor.

 

Por sot, unë nuk mund të hesht dot në asnjë mënyrë. Sepse ky është ridënimi i Visar Zhitit. Fatmirësisht më i lehtë se i pari. Sepse poeti nuk do të kyçet në burg; djali nuk do të shkëputet për së gjalli nga nëna; bashkëshorti nuk do të ndahet me përdhunë nga gruaja.

 

E megjithatë, ky ridënim është fatkeqësisht më i hidhur se dënimi i parë. Sepse një i dënuar i diktaturës komuniste për lirinë poetike, nuk mund të ridënohet sot nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për qëllime politike.

 

Edi Rama

Artikulli paraprakKjo grua po bombardon forcat e qeverisë
Artikulli vijuesPas vrasjes së tre studentëve musliman e pranon Islamin