“Kurrë ky vend nuk ka parë një krizë të tillë artificiale. Kam shprehur gatishmërinë për dialog që në ditën e parë të qeverisjes sime. Sot përsëri jam këtu për dialog”, u shhpreh Rama në një deklaratë
Një ditë pas caktimit të 19 prillit si datë për raundin e parë të zgjedhjes së presidentit të ri të Shqipërisë , kryeministri i vendit, Edi Rama, në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje opozitës për dialog. Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë fjalimit të tij në protestën që vazhdon që prej 18 shkurtit, ka përsëritur kërkesat e tij per krijimin e qeverisë teknike, raporton Anadolu Agency (AA).
Rama ka deklaruar se është opozita zyrtare dhe jo qeveria, që refuzon dialogun.
“Kurrë ky vend nuk ka parë një krizë të tillë artificiale. Kam shprehur gatishmërinë për dialog që në ditën e parë të qeverisjes sime. Sot përsëri jam këtu për dialog. Jam i trishtuar, për gjithçka më dëgjojnë veshët nga miqtë e partnerët e Shqipërisë lidhur me këtë pozicionim krejtësisht të papranueshëm të PD-së. Zgjedhjet nuk ke për t’i ndaluar dot dhe këtë qeveri nuk ke për ta rrezuar dot kurrë, nëse populli nuk do ta largojë me vote më 18 qershor”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar disa pretendimeve në media, kryeministri i Shqipërisë deklaroi se nuk ka skenar për të eliminuar kreun e opozitës.
Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe njëkohësisht lideri i opozitës, Lulzim Basha, gjatë fjalimit të tij në çadrën ku qëndrojnë mbështetësit e opozitës, e vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ka përsëritur kërkesën për qeveri teknike, që sipas tij do të garantojë zgjedhje të lira.
“T’iu japim shqiptarëve të drejtën të zgjedhin me votën e lirë. Kjo protestë ka nisur paqësore e do të përfundojë paqësore, por do të bëhet më e vendosur në ditët dhe javët që vazhdim”, ka theksuar ndër të tjera Basha.
Kujtojmë se protesta e opozitës vazhdon që prej datës 18 shkurt, me kërkesën për krijimin e qeverisë teknike dhe që nga kjo datë deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Shqipërisë.