Rashiq: Zakonisht i di gjitha proceset në Kosovë, por jo këtë me ekipin për Asociacionin

Skeptik nëse është formuar ose jo ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shprehur deputeti i Listës Serbe, Nenad Rashiq.

Deputeti Nenad Rashiq deklaroi se edhe pse nuk ka pasur informata për këtë ekip 4 anëtarësh, megjithatë formimin e tij e sheh si hap pozitiv dhe me qëllim të mirë.

Por Rashiq shton se nga këta anëtarë nuk do të jenë të përfaqësuar të gjithë serbët e Kosovës. Ai thotë se ekipi duhet të rritet qoftë edhe me ndihmës apo këshilltarë, derisa thekson se puna e tyre duhet të jetë transparente.

“Para të gjithave nuk di a mund të themi se është formuar ekipi, siç kemi dëgjuar dje, dhe se ai është nënshkruar nga presidenti dhe kryeministri. Pastaj e dëgjuam se kjo u demantua nga ministrja Edita Tahiri. Pra kjo është një ditë standarde kosovare, kur gjithnjë ka informata kontradiktore, madje qofte që vinë edhe nga Brukseli, sepse edhe atje kishte kinse një takim, por asgjë nuk ishte e sigurt që është arritur. Unë sinqerisht, edhe pse zakonisht i di të gjitha proceset në Kosovë, këtë për ekipin nuk e kam ditur, përveç asaj që është thënë në mënyrë dekorative se po përgatitemi për ekipin, siç ka thënë presidenti Thaçi”, ka thënë Rashiq, përcjell televizioni publik. “Anëtarët e këtij ekipi nuk i njoh individualisht dhe nuk dua të hy në çështjen se sa janë kredibilë për këtë punë, por besoj se qëllimi është i mirë, që nënkupton një fillim, qoftë përgatitje teknike. Konsideroj se në te nuk janë përfaqësuar të gjithë serbët, nga të gjithë lokalitetet, regjionet, komunat. Nëse ky ekip edhe mbetet kështu, nga këta njerëz pres së paku të njoftohen një kohë me gjendjen në terren, sepse dyshimi im është se komunat me shumicë serbe nuk kanë përfaqësues, pra ekipi duhet të ketë më shumë anëtarë, ose të ketë ndihmës nga komunat tjera. Nëse kjo mbetet frikohem se sërish do të punohet në mënyrë stihike, ad hok , pra duhet t’u tregohet këtyre njerëzve, se duhet të jenë transparent dhe të jenë të informuar me kohë se ata kanë përgjegjësinë e përgatitjes së statutit, ndryshe edhe më tutje do të kemi një gjendje kur asgjë nuk kuptojmë, dhe prapë do të duhet të pranojmë atë që na servohet sepse është nënshkruar nga Brukseli”, ka shtuar më pas.

Artikulli paraprakMSFK 2.5 milionë euro për blerjen e 27 Xhipave
Artikulli vijues“Repubblica”: Berati, ku myslimanët e të krishterët bashkëjetojnë në paqe