Reagim nga Dr. Shefqet Krasniqi rreth “ambicies” për President

Pas përhapjes së lajmit nëpër portale, rrjete sociale dhe medie të ndryshme për gjoja interesimin e Dr. Shefqet Krasniqit për të kandiduar për President të Kosovës, aq më tepër kur në emër të tij dhe përkrahjes së tij është hapur edhe një faqe në Facebook https://www.facebook.com/DrShefqetKrasniqiPresident?fref=ts, e cila synon të mbledhë sa më shumë klikime,

Dr. Shefqet Krasniqi distancohet nga kjo nismë duke shprehur keqardhjen e tij për tërë atë që po ndodh, e sidomos kur shumë nga këto gjëra bëhen pa lejen dhe pa dijen e tij.

Ai konsideron se gjërat e këtilla janë manipulim me popullatën nga qarqe të caktuara për interesa të ngushta, që jo rrallë herë janë edhe qëllimkëqija.

Ndaj, Dr. Krasniqi informon të gjithë qytetarët, si në Kosovë po ashtu edhe jashtë saj, se ai distancohet nga një faqe e tillë dhe nga iniciativa tjera të ngjashme. Po ashtu kërkon që edhe të tjerët të distancohen dhe të mos merren me to.

Dr. Shefqet Krasniqi deklaron se kemi punë me të mençura e më të rëndësishme sesa të humbim kohë me gjëra të këtilla. Ai potencon, me theks të veçantë, se asnjëherë nuk ka shprehur ambicie për t’u futur në jetën aktive politike, e aq më tepër në garën për President të Kosovës.

Informojmë opinionin e gjerë se faqja e tij zyrtare, ku ai shpreh qëndrimet dhe opinionet, është www.krenaria.com, si dhe në Facebook Të përfitojmë nga hoxha i nderuar Dr. Shefqet Krasniqi https://www.facebook.com/Hoxha.Dr.Shefqet.Krasniqi?fref=ts

Pra, ekskluzivisht, vetëm këto dy burime përfaqësojnë Hoxhën Dr. Shefqet Krasniqi dhe asnjë tjetër e çfarëdo lloji.

Këtij reagimi i bashkëngjitet edhe stafi i www.krenaria.com si dhe fton të gjitha mediet, të të gjitha llojeve, që t’i thërrasin ndërgjegjes njerëzore e t’i përmbahen kodit dhe etikës së informimit objektiv e të paanshëm, të mos kalojnë nga roli informues në atë dezinformues, siç po ndodh më disa prej tyre!

Përndryshe nëse gjejmë se veprimet dhe ligjëratat e hoxhës sonë të nderuar trajtohen në mënyrë të njëanshme, nxirren nga konteksti, apo vërejmë se lajmet në lidhje me Islamin dhe muslimanët në përgjithësi prezantohen në mënyrë subjektive dhe të një anshme, atëherë do të detyrohemi të paraqesim kallëzime penale, pranë gjykatave kompetente në vendin tonë, përkitazi me ato mediume, cilado qofshin ato, që shkelin kodin profesional, etikën e gazetarisë apo denigrojnë personalitetin e të tjerëve duke u mbështetur mbi paragjykime, baza subjektive apo për motive denigruese të çfarëdo natyre qofshin.

Me respekt

Stafi Krenaria

23.01.2014

Artikulli paraprakDhunon kunatën, pranga 41-vjeçarit
Artikulli vijues(Video) Mrekullia e shpëtimit të vogëlushes në Siri