Pak orë pasi Gjykata e Apelit njoftoi se ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj 3 aktivistëve të Vetëvendosjes të dënuar për sulmin në Kuvendin e Kosovës nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Kallxo, nga burime brenda kësaj gjykate mëson se ky rast do të kthehet në rigjykim në Gjykatën Themelore.
Gjykata e Apelit njoftoi sot se ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit të cilët në nëntor të vitit të kaluar ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës së bashku me të akuzuarën tjetër të këtij rasti, Adea Batusha e cila mbrohet në liri.
Të enjten e kaluar, Gjykata e Apelit mbajti seancë ku dëgjoi pretendimet e Prokurorisë që kërkoi ashpërsimin e dënimit dhe të avokatëve që kërkuan lirimin e aktivistëve nga paraburgimi dhe ndryshimin e aktgjykimit të Themelore duke i liruar nga akuza apo duke e kthyer rastin në rigjykim.
Kallxo, mëson se tashmë Gjykata e Apelit ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në Gjykatën Themelore për shkak të gjetjeve në aktgjykimin e Themelores.
Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë dha verdiktet për katër të dyshuarit për këtë rast. Atdhe Arifi, 25 vjeçar, u dënua me 6 vjet burg; deputeti Frashër Krasniqi, 29 vjeçar, u dënua me 8 vjet burg; Egzon Haliti, 24 vjeçar, u dënua me 5 vjet e gjysmë burg si dhe Adea Batusha, 21 vjeçare, u dënua me 2 vjet burg.
Këta të katër akuzoheshin se më 4 gusht të vitit të kaluar në bashkëkryerje kishin sulmuar Kuvendin e Kosovës, andaj mbi ta vihej në barrë vepra penale terrorizmit, vepër kjo e paraparë në nenin 136 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa në këtë rast e kualifikuar sipas paragrafit 1 të këtij neni, e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burg.