Rrëfimi për tolerancën fetare në Kosovë: Njihuni me hoxhën e Klinës dhe mikun e tij katolik (Foto)

Ndonëse është njëra prej komunave më heterogjene në aspektin e komuniteteve fetare dhe kombëtare, Klina mbetet një vatër e mirëkuptimit dhe tolerancës.

Përtej kësaj në këtë komunë, përveç se fjalë goje, toleranca është diçka e prekshme.

Blerim Musliu, 32 vjeçar, është një shembull i kultivimit të tolerancës dhe mirëkuptimit. Ai që nga shkolla e mesme studion fenë islame dhe përpos Medresesë “Alaudin” në Prishtinë, ka vijuar për gjashtë vite radhazi studimet universitare dhe pasuniversitare në Medine të Arabisë Saudite.

Aktualisht ai është kryeimam në Bashkësinë Islame të Klinës.

Ai ndonëse është shumë i ri në moshë, tregon se ka ndërmarrë një mori iniciativash për ta mbrojtur frymën e paqes dhe mirëkuptimit ndërfetar në këtë komunë.

imami

Blerim Musliu

Musliu vazhdimisht është i buzëqeshur, i afërt dhe komunikativ, gjë të cilën ia vlerësojnë shumë bashkëqytetarët e tij. Atë vazhdimisht, kur ecën rrugës, e përshëndesin klinasit, pavarësisht se cilit besim i takojnë.

Ai ka thënë për Telegrafin se ndjehet mirë që ka mundësi që si klerik fetar ta ruajë harmoninë që ekziston në mes qytetarëve të kësaj komune.

Sipas tij, askush më mirë se klinasit nuk e dinë se si është që një katolik të jetë i rrethuar nga fqinjët myslimanë dhe një mysliman të jetë i rrethuar nga fqinjët katolikë.

“Dua të them se kjo është një vlerë të cilin duhet ta ruajmë. Është shumë e bukur kur kemi diversitet dhe jemi të ndryshëm, por e respektojmë njërit tjetrin”, thekson ai për Telegrafin.

Gjatë bisedës kryeimami Musliu tregon se vazhdimisht zhvillon takime dhe biseda me qytetarë të Klinës, e me kënaqësi të veçantë komunikon më të rinjtë e kësaj komunë për të cilët thotë se janë jashtëzakonisht të afërt dhe të talentuar.

“Janë të afërt, dhe në çdo rast tregojnë konsideratë. Bisedat tona kanë të bëjnë, përveç sqarimeve për fenë, edhe me stimulimin e tyre në jetën akademike. Thjesht dëshirojmë që të bëhen të dobishëm për shoqërinë. Ky qytet e ka një rini të shëndoshë, sa që ke kënaqësi kur i sheh në rrugë, por që ndonjëherë frikësohem se mund të bëhen pjesë e dukurive negative. Ja kam vënë vetit si obligim që brenda mundësive të mija – si institucion moral – që të angazhohem në edukimin e kësaj pjese të shoqërisë. Kam besim të fortë te Zoti i Madhërishëm si do t’ia dalim mbanë”, ka shtuar ai.

Shoqëria e hoxhës me Jozefin

Hoxha i Klinës, duke treguar se si shoqërohet me të rinjtë, tregon për një mik të tij, për të cilin thotë se është i veçantë. Ai është Jozef Nikollaj, një 21 vjeçar, dhe punon në njërin nga lokalet e Klinës, e të cilin kryeimami Musliu e viziton shpesh.

Jozefi me të parë hoxhën se ka shkuar në lokalin ku ai punon, afrohet e përshëndet me shumë respekt dhe me një buzëqeshje të ngrohtë. Ai tregon se ndonëse i takon fesë katolike, e çmon shumë punën dhe angazhimin e hoxhës.
Ai thotë për Telegrafin se Musliun e njeh tash e sa kohë, dhe se “nuk e di dikë që e thotë një fjalë të keqe për të”.

jozefi

Jozef Nikollaj

“Është një mik i mirë dhe më pëlqen një mysliman si ai. Shumë prej miqve të mi janë xhemat i hoxhës. I kam miq më të cilët takohem çdo ditë. Hoxha është njeri shumë i mirë dhe pozitiv. Njëherë më pati ftuar në një ligjëratë të tij, dhe kam qenë prezentë aty”, tregon Jozefi për Telegrafin.

Djaloshi klinas thekson se ajo që më së tepërmi i ka lënë mbresa të hoxha, është kur e ka dëgjuar ligjëratën e tij të Kurban Bajramit, ku kërkohet nga xhemati që mishi i Kurbanit të ndahet në tri pjesë, e njëra nga to tu shpërndahet fqinjëve, pavarësisht nëse janë mysliman ose katolik.

ndihmat

Është interesant se ata, përveç muhabeteve të jetës së përditshme, i lidh edhe futbolli. Të dy janë tifozë të ekipit futbollistik “Dukagjini” i Klinës. E duan futbollin dhe pothuaj çdo lojë të këtij ekipi e përcjellin.

Derisa Musliu kërkon të ngritet nga tavolina dhe përshëndetet me Jozefin, të cilin e quan me simpati “baci Zef”, 21 vjeçari nuk e lejon hoxhën t’i paguaj kafen.

Musliu thotë se kjo ndodh në të shumtën e herëve, “që Zefi të mos më lejojë të paguaj”. Hoxha duke buzëqeshur, thotë se “ka edhe myslimanë që nuk janë kaq të afërt”.

Musliu, duke folur për bisedat dhe komunikimin me qytetarët, thotë se shpesh herë ballafaqohet me habinë e njerëzve se si mund të ndodh që një i ri të jetë hoxhë, sepse, sipas tij, është krijuar përshtypja që hoxhallarët janë persona të moshës së shtyrë.

Ai thekson se shpesh herë ballafaqohet me pyetje nga më të ndryshmet të cilat i trajton me shumë sportivitet.

“Ka pyetje të cilat janë si pasojë e mosinformimit total mbi fenë islame, e të cilat mundohem t’i mirëkuptoj. Informimi është armë e fuqishme e çdonjërit prej nesh. Është arsenal i fuqishëm që na ndihmon t’i njohim të tjerët dhe ta largojmë paragjykimin. Andaj kërkoj nga të gjithë që të lexojnë, t’i rreken dijes dhe ta hapim debatin.
Duhet të flasim, të njihemi, të diskutojmë, e besoj se rezultatet do të jenë të kënaqshme”, ka shtuar Musliu.

Miqësia përmes lojës

Kryeimami tregon se ndër shumë aktivitete në Klinë, janë organizimi i turnirëve në futboll në mes hoxhallarëve dhe priftërinjve të kësaj komune, duke shtuar se “këta turnirë kanë filluar që nga viti 2003, kohë prej kur është hapur xhamia e Klinës, për të vazhduar më pastaj edhe në periudhën 2004-2007, kur unë kam qenë imam, për tu bërë të rregullta më pastaj. Për këtë një falënderim i shkon klerik katolik për bashkëpunimin e tyre”.

turneu

Bashkë edhe në lojë

“Luajm, dëfrehemi dhe kështu njihemi më tepër në mes vete”, ka thënë Musliu.

Ai duke treguar përvojat e tij, thotë se është pjesë edhe organizimeve humanitare, ku thotë se asnjëherë nuk i ka privuar familjet katolike, të cilat kanë qenë nevojtare, nga shpërndarja e ndihmave, duke shtuar “se prioritet kanë nevojtarët, pavarësisht cilit besim i takojnë”.

Një tjetër rast interesant, të cilin hoxha e tregon me shumë kënaqësi, është ai i pastrimit të xhamave të Xhamisë së Klinës, i cili bëhet në prag të çdo feste të Bajramit.

mikeli

Hoxha me Mikel Qunin

“Mikel Quni, është ai person i cili i takon besimit katolik dhe na gëzon për çdo bajram, duke bërë pastrimin e xhamave të xhamisë”, tha ai, duke shtuar se këtë e bën në mënyrë vullnetare, pa asnjë pagesë.

Musliu thotë se kujdeset që pjesë e edukimit të të rinjve të jetë edhe njohja e kontributit dhe sakrificës së dëshmorëve të vendit, për të cilët thotë se janë pasqyrë e mirë, se sa i shtrenjtë është atdheu.

“Përpiqem me aq sa kam mundësi që në çdo tubim përkujtimor ose ndonjë iniciativë tjetër, ku nderohen dëshmorët dhe martirët, të jem prezent duke dëshmuar fillimisht që institucioni i hoxhës është afër popullit. Arsyeja tjetër është që xhemati mos ta fshijë memorien historike, kur dihet se një pjesë e madhe e frekuentuesve të xhamisë janë të rinj”, ka theksuar ai.

Kryeimami i Klinës, duke qenë i lumtur që komuna e tij është shembullore në harmoninë fetare, nuk la pa përmendur shijen jo aq të mirë që ia ka lënë debati që zhvillohet tash e sa kohë nëpër rrjete sociale, për fenë dhe fenomenet të cilat ndodhin për dhe rreth saj.

“Diskutimet i mirëpres. Por, kam dëshirë që të jenë debate konstruktive. Pa stigmatizim e linçim. Të jemi argumentues, racional dhe se ma pak emocional. Unë, fillimisht kërkoj prej besimtarëve myslimanë, që në fjalorin e tyre të hiqen ofendimet. Nëse e shohim jetën dhe veprën e profetit Muhamed (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të), ai në asnjë moment nuk e ka ofenduar askënd. Nuk ka pasur hakmarrje personale në misionin e tij. Është prej rregullave të fesë që të flasim për fenomenin dhe jo për njeriun. Prej drejtësisë së Islamit është të jemi parimor, jo të flasim dhe veprojmë pa emocione”, ka theksuar ai për Telegrafin.

imami4

Sipas tij, edhe ata që nuk e pëlqejnë fenë ose praktikuesit e fesë islame, është mirë që në emër të kulturës, edukatës, emancipimit, t’i kursejnë besimtarët nga fyerjet eventuale.

“Bukuria dhe qëllimi i diversitetit është që ne jemi të ndryshëm, dhe duke qenë të ndryshëm të jemi në harmoni. T’i gjejmë pikat që na bashkojnë, dhe jo ato që na ndajnë. Është simbolikë e respektuar në krejt botën, kur persona me besime të ndryshme kanë raporte shumë të mira. Nuk besoj se në emër të tolerancës duhet të kërkohet nga dikush që ta heq dorë nga identiteti i tij, sepse ajo nuk është harmoni reale. Nëse ndërmarrin një aksion për pastrimin e qytetit, të gjithë jemi bashkë. Nëse ka iniciativë që t’i ndihmojmë të varfrit, të gjithë jemi bashkë. Nëse dikujt i duhet ndihma për të avancuar në studime dhe jetën universitare, do t’i dalim në ndihmë të gjithë. Njëjtë edhe më një sërë çështjesh tjera. Vula e tolerancës është kur veprojmë praktikisht, jo vetëm me fjalime dhe konferenca”, ka theksuar Musliu.

Kryeimami në fund të bisedës thotë se me kapacitetin e tij fetar, intelektual dhe moral do tu shërbejë banorëve të Klinës, e veçanërisht gjimnazistëve e studentëve të këtij qyteti, të cilët thotë se i ka shumë për zemër. /Blendi Devolli /Telegrafi/

Artikulli paraprakNdërroi jetë LEGJENDA – MUHAMED ALI!
Artikulli vijuesImami nga Shqipëria mbledh rreth 2 mijë kosovarë në qytetin e Podujevës (Foto/Video)