“Ruaje pasurinë tënde, o bir..!”

Tregon një djalë i ri besimtar: Pas faljes së namazit, teksa po dilja nga xhamia, sytë e mi u ndeshën me sytë e një plaku të nderuar, në një karrige lëvizëse, të cilën e drejtonte një punonjës shërbimi aziatik…

U afrova, i putha kokën dhe i thashë: Lutu për mua, o zotëri!

Plaku, ngriti kokën dhe më pyeti: A e ke babën gjallë? – Po, ia ktheva. Më pyeti sërish: Po nënën, gjallë e ke? – Po, ia ktheva!

Atëherë, me një buzëqeshje, që përzihej me një ndjenjë të fshehtë dëshpërimi dhe mërzitë e moshës, plaku më tha: “Atëherë, ti qenke pasanik i madh! Ruaje pasurinë tënde, o bir..! Djemtë e mi e kanë humbur pasurinë e tyre prej shumë kohësh..!”

Për momentin, ndjeva se i gjithë trupi m’u përshkua nga një e dridhur, pas së cilës, ia putha sërish kokën dhe u largova me kokën ulur, duke mërmëritur me vete: “Ruaje pasurinë tënde, o bir..! Vërtetë, ajo është pasuria më e begatë!”

(Mesazh për çdo djalë të ri e vajzë të re, por jo vetëm: Kontrolloni marrëdhëniet tuaja me prindët tuaj, para se të jetë vonë!)

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari

Artikulli paraprakNuk e shet Kuranin e parë të qëndisur edhe për 2 milionë dollarë
Artikulli vijuesHakmarrja për Nicen?