Autoritetet amerikane kanë njoftuar për sanksionet e reja financiare kundër agjencive kryesore të inteligjencës ruse, dhjetëra qytetarëve rusë dhe disa kompanive ruse në vendimin e fundit amerikan për ta ndëshkuar Moskën.
Masat e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Thesarit janë përgjigje specifike ndaj përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në sistemin zgjedhor amerikan, përfshirë edhe fushatën presidenciale të vitit 2016.
Ndër të tjera është thënë se kjo ka qenë përgjigje edhe e një “aktiviteti kibernetik”, duke përfshirë përpjekjet ruse për të hakuar rrjetin energjetik të Shteteve të Bashkuara dhe pjesë të tjera të infrastrukturës.
Sanksionet, për të cilat zyrtarët amerikanë kanë njoftuar se do të bëhen të ditura këtë javë, nuk kanë qenë drejtpërdrejt të lidhura me helmimin e ish-spiunit rus në Britani, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia.
“Thesari vazhdon t’i bëjë presion Rusisë për përpjekjet e vazhdueshme në destabilizimin e Ukrainës, për okupimin e Krimesë, ndërhyrjen në zgjedhje, korrupsionin endemik dhe abuzimin me të drejtat e njeriut”, ka thënë Sekretari i Thesarit amerikan, Steven Mnuchin përmes një deklarate.
“Përdorimi i agjentit nervor në tentim vrasjen e dy qytetarëve britanikë demonstron sjelljen e papërgjegjshme të qeverisë ruse”.
Në Moskë, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov i ka thënë agjencisë së lajmeve Interfax, se Moska është duke përgatitur masa hakmarrëse kundër Uashingtonit.
Ende është e paqartë se si masat e reja do të ndikojnë në hapat e Rususë, të Shteteve të Bashkuara apo Evropës.
Disa agjenci, individë dhe subjete janë sanksionuar apo paditur më parë, duke përfshirë padinë e këshilltarit special, Robert Mueller muajin e kaluar.
Departamenti i Thesarit ka akuzuar agjencinë ushtarake të inteligjencës ruse, dhe ushtrinë ruse për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.
Aty po ashtu është thënë se ata kanë qenë përgjegjës për sulmin kibernetik NotPetya, i cili u ka kushtuar bizneseve në Evropë, miliona dollarë.