Sanksionet: Fushata kundër Izraelit po fuqizohet

0
235

Dikur, organizatat që bënin thirrje për bojkot ndaj Izraelit konsideroheshin ekstremiste, por tashmë kjo fushatë po fiton terren dhe politikanët e Izraelit për herë të parë po shqetësohen me të vërtetë

Njëherë e një kohë, thirrjet për një embargo botërore ndaj Izraelit konsideroheshin si veprimet e të krisurve. Fushata për bojkotim, tërheqje investimesh dhe sanksione ndaj Izraelit, e njohur nga akronimi në anglisht BDS, po kthehet në rrymë kryesore. Aq shumë është përhapur sa po përbën një burim shqetësimi për një numër gjithnjë e më të madh izraelitësh.

Disa fonde europiane pensionesh kanë tërhequr investimet; disa korporata të mëdha kanë anuluar kontratat; dhe sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri (John Kerry), rrallë humbet shansin të paralajmërojë Izraelin se përpjekjet për ta “deligjitimuar” dhe bojkotuar këtë vend do të rriten gjithnjë e më shumë në rast se Tel Avivi nuk pranon zgjidhjen finale të konfliktit me palestinezët përmes krijimit të një shteti palestinez.

Izraeli, thotë Jair Lapid, ministri i Financave të vendit, po shkon drejt së njëjtës “pikë kthese” me atë të Afrikës së Jugut, e cila u përball me kundërshtimin e së gjithë botës në ditët e fundit të sistemit racor të Aparteidit.

“Nuk duhet të gënjejmë veten”, tha ai, në një konferencë mbi sigurinë në Tel Aviv. “Bota po na dëgjon ne gjithnjë e më pak”.

BDS ka filluar të tërheqë vëmendjen e disa prej institucioneve financiare më të mëdha të botës. PGGM, një fond i madh pensionesh në Holandë, ka likuiduar investimet e veta te pesë banka izraelite (megjithëse fondi më i madh i pensioneve në Holandë i ka rikonfirmuar investimet e veta).

Ministria e Financave e Norvegjisë ka njoftuar se po përjashton fondin Africa Israel Investments dhe kompaninë bijë të saj, Danya Cebus, një kompani e madhe ndërtimi, nga lista e kompanive ku mund të investohet nga fondi i pensioneve të qeverisë së Norvegjisë.

Fushata ka tërhequr mbështetje përtej Europës Veriore. Rumania ka ndaluar nënshtetasit e vet nga të punuarit për kompanitë në Bregun Perëndimor. Më shumë kisha po mbështesin BDS-në. Një organizatë akademike amerikane po bojkoton pedagogët e Izraelit. Debati tërhoqi vëmendjen e të gjithëve pasi Skarlet Johanson (Scarlett Johansson), një aktore Hollivudi, mbylli rolin e saj si ambasadore e OXFAM, një organizatë humanitare me bazë në Britani, në mënyrë që të ruante kontratën e reklamave me SodaStream, një kompani izraelite pijesh me fabrikë në Bregun Perëndimor.

Lapid, i cili mbështet zgjidhjen me dy shtete, publikoi shifra për të argumentuar se si sanksionet mund të dëmtojnë xhepin e çdo izraeliti.

“Nëse bisedimet me palestinezët ndalojnë apo dështojnë dhe ne hyjmë në realitetin e një bojkoti europian, qoftë ky edhe i pjesshëm”. paralajmëroi ai, 10 mijë izraelitë do të humbasin “menjëherë” vendet e tyre të punës. Tregtia me Bashkimin Europian, e cila përbën një të tretën e së gjithë tregtisë së Izraelit, do të ulet deri në një minimum prej 5.7 miliardë dollarësh në vit.

Nën ankth për të ruajtur tregjet e veta, biznesmenët e Izraelit po mbështesin gjithnjë e më shumë kampin pro paqes në Izrael. Në një reklamë të fundit në mbështetje të paqes, emrat e mbështetësve përfshinë edhe njerëz të tillë si kreu i Google për Izraelin. Më herët biznesmenët patën parapëlqyer të qëndrojnë jashtë politikës.

Qeveria e Izraelit është e ndarë mbi çështjen se si mund të reagohet ndaj fushatës së bojkotit, sanksioneve dhe tërheqjes së investimeve. Ministria e Financave ka vënë përkohësisht në raft një raport që thotë se do ta publikojë më vonë mbi pasojat e mundshme të BDS-së. Por shtypi i Izraelit dhe fjalimet e ministrit po shfaqin një shqetësim gjithnjë e më të madh ndaj kësaj fushate.

Disa izraelitë argumentojnë se thjesht diskutimi mbi problemet e krijuara nga fushata BDS po shkakton probleme shtesë duke bindur gjithnjë e më shumë njerëz se kjo fushatë po sjell përfitime.

Pozicioni i Izraelit si qendër botërore e kompanive të reja që operojnë në teknologjinë e lartë është pjesërisht pasojë e shumë dekadave përpjekje për minimizimin e pasojave të sanksioneve arabe. Një embargo franceze armësh në vitet 1960 solli investimin dhe zhvillimin e një industrie armatimesh, gjë që ndihmoi në katapultimin e Izraelit në vend të katërt në listën botërore të eksportuesve më të mëdhenj të armëve.

Dhe nëse Perëndimi i kthen kurrizin Izraelit, ka që mendojnë se zgjidhja gjendet në Lindje. Marrëdhëniet me Indinë janë ngrohur së fundmi, dhe ato me Kinën po përmirësohen nga dita në ditë.

Ministri i Ekonomisë, Naftali Bennett, një skeptik i procesit të paqes, së fundmi udhëtoi në Lindjen e Largët, duke thënë se po u çonte “dritën paganëve” përmes mënyrës së biznesit të Izraelit. Por Bennett është një minorancë në debatin mbi sanksionet dhe dizinvestimet: kolegët e tij janë më të kthjellët./The Economist/GSH