Selanik, evakuohen 75 mijë banorë që të asgjësohet një bombë nga Lufta e Dytë Botërore

Policia sot ka kaluar shtëpi më shtëpi për ti informuar banorët të cilët jetojnë në rreze prej 2 kilometra nga bomba se duhet të largohen nga shtëpitë e tyre

Dhjetëra mijëra njerëz do të evakuohen nga qyteti grek i Selanikut, ashtu që ekspertët të mund të çaktivizojnë një bombë prej 225 kilogramësh nga Lufta e Dytë Botërore, raporton Anadolu Agency (AA).

Policia sot ka kaluar shtëpi më shtëpi për ti informuar banorët të cilët jetojnë në rreze prej 2 kilometra nga bomba se duhet të largohen nga shtëpitë e tyre.

Shumica e banorëve janë larguar nga shtëpitë e tyre me makina, kurse një numër i tyre u transportuan me autobusë në shkolla, salla sportive dhe qendrat kulturore në pjesën tjetër të qytetit.

Autoritetet besojnë se rreth 75.000 banorë janë evakuuar, kryesisht nga paralagjja perëndimore Kordelio ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Në procesin e evakuimit janë përfshirë rreth 1.000 policë dhe 300 vullnetarë.

Trenat nuk do të qarkullojnë në këtë zonë, dhe janë anuluar meshat tradicionale.

“Kjo është hera e parë që diçka e tillë ndodh në Greqi”, tha Guvernatori i Selanikut Vula Patoulidou.

Bomba, e cila është hedhur në vitet e ’40-ta të shekullit të kaluar, është gjetur në fillim të muajit shkurt, gjatë punimeve në zgjerimin e rezervuarit nën një pikë karburanti, kurse çaktivizimi i saj do të zgjasë rreth gjashtë orë.

Artikulli paraprakTrump: Jemi 100 përqind me Japoninë
Artikulli vijuesRreth 9 milionë euro, “të askujt”, mund të barten nga Trusti në buxhet