Ndonëse Kosova nuk ka sistem të referimit shëndetësor dhe nuk ka statistika të sakta për asnjë sëmundje, zyrtarë shëndetësorë thonë se sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktari i parë i vdekjeve në vend, e po ashtu edhe në gjithë botën.
Gani Bajraktari, kardiolog, njëherësh profesor i Mjekësisë Interne, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i të sëmurëve me patologji kardiovaskulare që vizitohen në Klinikën kardiokirurgjike, QKUK është shumë i lartë.
“Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktari numër një i vdekshmërisë në botë. Numri i të sëmurëve që arrin në klinikën tonë, me patologji kardiovaskulare, është tepër i madh. Ne pranojnë 10 deri në 15 pacientë të rinj gjatë ditës”.
“Kryesisht dominon infarkti akut, si patologjia më e shpeshtë dhe më vdekjeprurëse si te ne, po ashtu edhe në vendet tjera të zhvilluara dhe ato në zhvillim”, bën të ditur Bajraktari.
Ndërkaq, në lidhje me trajtimin e kësaj sëmundjeje, ai thotë se përballen me shumë sfida, ndërkaq veçon anën materiale meqë trajtimi është i kushtueshëm:
“Trajtimi i këtyre sëmundjeve, kërkon mjete materiale, profesionalizëm, përkrahje të Qeverisë, sidomos për trajtimin e infarktit akut, i cili trajtim është shumë i kushtueshëm dhe një sprovë e madhe për shtetin tonë, pasi që pa sigurime shëndetësore dhe pa mjete materiale të mjaftueshme, është shumë problem”.
Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Klinika e kardiokirurgjisë është jashtë funksionit.
Operacionet në zemër, që gjatë këtij viti nuk kanë mundur të kryhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pacientët i kanë bërë jashtë institucioneve publike shëndetësore, transmeton rel.
Kjo klinikë është mbyllur në janar të këtij viti, për shkak të mungesës së stafit adekuat për t’i kryer operacionet e hapura në zemër.
Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se janë duke bërë përpjekje që kjo klinikë brenda këtij viti të hyjë në funksion.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se janë duke e bërë analizimin e situatës së përgjithshme në këtë fushë, në mënyrë që Klinika e kardiokirurgjisë të funksionalizohet.
“Ka pasur mungesë të kardiokirurgëve dhe kardio-anestezologëve. Po bëjmë përpjekje ta funksionalizojmë sa më shpejt, dhe për fillim do të ketë më shumë se një kardiokirurg, që do të jetë pjesë e punës. Pastaj do të ketë edhe grupe, të cilat do t’i përcaktojë vetë grupi që do të punojë aty, qoftë mjekë nga Italia, pasi Qeveria italiane ka ndihmuar funksionalizimin e Kardiokirurgjisë, qoftë edhe ekipe të tjera që vijnë në mënyrë vullnetare të kryejnë operacione të zemrës aty”, shpjegon Sadiku.
Ndërkaq, Gani Bajraktari tregon se si se çdo ditë duhet të referohen pacientët për ndërhyrje kardiokirurgjike:
“Mungesa e Kardiokirurgjisë në sektorin publik në Kosovë,është një brengë e madhe e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ne kardiologëve,pasi që ne deri në tre pacientë në ditë i referojmë për trajtim kardiokirurgjik”.
Në botë, 17 milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet e zemrës.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, pjesa më e madhe e sëmundjeve kardiovaskulare mund të parandalohet nëpërmjet adresimit të qartë të rrezikut, si duhanpirja, dieta jo e shëndetshme dhe obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumimi i alkoolit.