Që nga paslufta Fondi Pensional i Kosovës vazhdon mbetet “i kidnapuar” nga Serbia. Kjo çështje, sikurse edhe shumë tjera, ka mbetur e pazgjidhur dhe e papërfshirë aq sa duhet në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesit e pensionistëve gjatë gjithë këtyre viteve kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendor, që të bëhet presion mbi Serbinë e të zgjidhet çështja e kompensimit të pensioneve.
Ky presion ndaj Serbisë duhet të bëhet sidomos në bisedimet e Brukselit ku të ndërrmeren kushtëzime në këtë drejtim.
Sipas Shoqatës së Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore është marrë Fondi Pensional nga ana e Serbisë, numri i pensionistëve ishte llogaritur të jetë rreth 89 mijë.
Ndërkaq, aktualisht llogariten se janë rreth 50 mijë pensionistë, të cilët presin që t’i marrim pensionet për të cilat kanë kontribuar.
Shoqata e pensionistëve i është drejtuar Komitetit të Këshillit të Evropës, që në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg, ta obligojë Serbinë që t’ua kthejë të gjitha pensionet, pensionistëve të Kosovës, por ende nuk ka një përgjigje rreth kësaj çështje.
Pensionistët pesimistë
Pensionistët nuk kanë shumë shpresë që këto para do t’i marrin ndonjëherë nga Serbia. Ata thonë se nuk ka pasur vullnet politik nga Qeveria e Kosovës që ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe seriozitet.
Skënder Gashi që ka punuar në një ndërmarrje shoqërore thotë se i ka paguar rregullisht kontributet pensionale dhe se ato do të duhej që t’i shfrytëzonte tash në pleqëri.
“Në atë kohë të ardhurat i kemi pasur goxha të mira, që do të thotë se edhe kontributet që i kemi dhënë për pensione kanë qenë të mëdha. Por këto kontribute na shkuan huq, nuk besoj që do t’i marrim ndonjëherë. Qeveria jonë kurrë nuk është marrë si duhet me këtë çështje. Ata disi po i nënshtrohen Serbisë, pasi që kjo temë do të duhej të ishte kusht, që nëse nuk plotësohet, bisedimet duhet të ndalen. Serbia faktikisht na i ka vjedh ato para dhe do të duhej t’i kthente”, thotë ai.
Gjithashtu edhe Rexhep Berisha ka dhënë kontributet për fondin pensional në kohë të Jugosllavisë, gjatë punës që e ka bërë si mësimdhënës. Ai thotë se është e vështirë që këto para të kthehen dhe se këtë mund ta bëjë vetëm presioni i bashkësisë ndërkombëtare, që sipas tij aktualisht nuk po ekziston.
“Po nuk shpresoj që na kthehen ato para sepse kemi të bëjmë me një shtet që na ka vra e na i ka djeg shtëpitë e pasuritë dhe asnjë dëmshpërblim nuk na e ka dhënë. Pra kur e marrim parasysh këtë shpresa që një ditë të na kthehen ato para është shumë e vogël, për të mos thënë nuk ekziston fare. Unë mendoj që shteti jonë do të duhej që t’ia kushtëzonte këtë gjë Serbisë, që nga pjesëmarrja në dialog e deri tek ndalja e importit. Të ndalen mallrat serbe dhe pa u kthyer fondi pensional, asnjë produkt serb të mos hyjë në Kosovë. Por siç po e shohim këta qeveritarët tanë nuk kanë guxim ta bëjnë një gjë të tillë. Ata po mendojnë veç për vetën dhe karriget e tyre”, u shpreh Berisha.
Me rrënimin e autonomisë së Kosovës nga ish-Jugosllavia, kontributet e pensionistëve kosovarë, në mënyrë antiligjore, ishin bartur në shtetin serb.
Sipas vlerësimeve të përafërta, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës, i cili është marrë nga Serbia, arrin vlerën deri në dy miliardë euro. /tesheshi.