Qëndrimi i BDI-së dihet, ne jemi kundër ndërtimit të kryqit, e kemi dëshmuar edhe me prezencën tonë dhe kemi thënë që nuk duhet të ndërtohet. Tani po vazhdojmë procedurën administrative deri në fund.
Kështu është shprehur për Portalb, Lirim Shabani, ministër i Pushtetit Lokal. Ai ka sqaruar procedurën dhe tentimet e BDI-së për ta ndaluar ndërtimin e kryqit në Butel.
“Ne, si BDI, kemi një grup të punës që po merret me punët juridike. Inspektorati i pushtetit lokal nuk është nën Ministrinë e pushtetit lokal. Është subjekt në vete, që ka drejtori në vete dhe inspektorë në vete. Vanço Shehtanski është drejtor i këtij inspektorati. Unë kam bërë presion sa kam mundur dhe pres që brenda kësaj jave ose javën tjetër inspektorët të dalin në terren, të shkojnë në Komunën e Butelit dhe të verifikojnë procedurën. Në moment që do të ketë diçka konkrete, do ta marr vesh edhe opinioni”, deklaroi për Portalb ministri Shabani.
Inspektorati ka kohë prej 30 ditëve, shton ai, ta shqyrtojë ankesën, ende s’kanë kaluar afatet ligjore. “Megjithatë jemi duke bërë presion që kjo punë sa më shpejt të kryhet”.
Në lidhje me çështjen, nga Inspektorati administrativ shtetëror thonë se: “Mbikëqyrje për procesin e sjelljes dhe mbikëqyrjes së ligjshmërisë së proceseve të Komunës kryen Inspektorati shtetëror për vetëqeverisje lokale”.
Drejtor i Inspektoratit shtetëror për vetëqeverisje lokale është Vanço Shehtanski.
Ai në deklaratën e tij për Portalb thotë se kjo është çështje e inspektorëve, të cilët e bëjnë punën në terren.
“Është detyrë që duhet ta kryejnë inspektorët, ata e bëjnë punën në teren dhe e kryejnë mbikëqyrjen. Unë nuk ndërhy në punën e tyre”, është përgjigjur shkurt Shehtanski, duke mos dhënë detaje, në pyetjen e Portalb se a e kanë pranuar ankimimin e BDI-së për ndërtimin e kryqit dhe si do të reagojnë.
Kujtojmë se pas protestës së BDI-së në Butel, kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, i cili është edhe nënkryetar i BDI-së deklaroi se “qëllimi u arrit kryqi nuk do të ndërtohet në Butel”.