Rreth 190 punëtorë mysliman janë larguar nga puna, pasi nuk lejoheshin të falnin namazin në kohën e pauzës. Siç raporton Independent, punëtorët po punonin në një fabrikë mishi në Kolorado, kur ata protestuan për të drejtat e tyre: Faljen e namazit gjate pauzës 30 minutëshe.
Punëtorët mysliman, të punësuar në Cargill Meat Solutions në Fort Morgan të Kolorados, u përjashtuan nga puna pas 10 ditësh protesta, njofton gazeta lokale Denver Post.
Më shumë se 200 punëtorë, të cilët janë kryesisht mysliman nga Somalia, morën pjesë në një protestë të organizuar nga Këshilli Amerikan për Marëdhëniet Islame (CAIR), organizatë e cila kishte negocuar me kompaninë në emër të punonjësve.
“Disa nga punëtorët janë rikthyer në punë, por shumica janë larguar”, tha Jaylani Hussein, zëdhënës dhe drejtori ekzekutiv i CAIR.
Punëtorët thanë se kompania kishte ndryshuar rregulloren e cila më parë lejonte faljen e namazit në kohën e pauzës.
Më parë në rregullore thuhej se punëtorët mund të falen gjatë kohës së pauzës në dhomën e dedikuar për namazin, në mënyrë që të mos lënë keq procesin e prodhimit, dhe në rregullore thuhej se vetëm kur gjendet zëvendësuesi, personi në fjalë mund të kalojë në pauzë dhe të falë namazin,
Ndërsa me ndryshimin e rregullores, 5-10 minutat e rezervuar për namazin ishin larguar nga koha e pauzës. Sipas z. Hussein, punëtorëve u është thënë “nëse doni të faleni, shkoni në shtëpi”.
Z. Hussein, i cili flet në emër të punëtorëve, tha se “punëtorët janë të bindur se të humbin kohën e namazit është më keq se të humbin punën”.
“Është sikur ta humbasësh bekimin e Zotit”, shtoi ai.
Ndërkohë, në një deklaratë nga kompania Cargill thuhet se fabrika e ndërtoi sallën e namazit në vitin 2009, dhe ishte rregulluar në bazë të ndërrimit të punëtorëve, në mënyrë që stafi i dedikuar në prodhim të mbetet në zonën e punës.
Kompania është një ndër më të mëdhatë në rajon, dhe ka të punësuar rreth 2000 njerëz, të cilët paguhen së paku 14 dollarë për një orë. /MESAZHI/