SHBA: Publikohen fotot e Obamës duke qitur me armë

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë publikuar një fotografi, që e paraqet Presidentin Obama duke bërë stërvitje për qitje në qendrën presidenciale të pushimit Camp David, në Maryland.

Fotografia që paraqet presidentin duke bërë qitje, publikohet ndërkohë Obama përpiqet për miratimin e planit të tij për pakësimin e dhunës me armë zjarri, duke i kërkuar Kongresit të miratojë kufizime më të forta për armët. Presidenti Obama fillimisht e bëri të njohur eksperiencën etij me armët në numrin e 11 shkurtit të Revistës “The New Republic”.

Para publikimit të fotografisë, përfaqësuesja e Partisë Republikane, Marsha Blackburn tha:”Në se ai stërvitet për qitje, pse nuk e dinim këtë më parë? Përse nuk kemi parë foto më parë?” Ndërsa Shoqata Kombëtare e Armëve, NRA, tha përmes një zëdhënëseje, tha se “një fotografi nuk e shuan dot qëndrimin e tij të mbështetjes gjatë gjithë jetës për ndalimin e armëve dhe për çdo skemë të imagjinueshme për kontrollin e armëve”.

Ndërsa ka bërë propozime për ndryshime ligjore që synojnë pakësimin e armëve, Presidenti Obama ka thënë se ai e mbështet me forcë Amendamentin e Dytë të Kushtetutës Amerikane, që sanksionon të drejtën për armëmbajtje për shtetasit amerikanë.

Debati për armët e zjarrit është vënë në qendër të vëmendjes në Shtetet e Bashkuara, pas masakrës që ndodhi në qytezën Newtown të Conencticutit, ku një person i armatosur vrau 20 fëmijë dhe 6 të rritur në një shkollë fillore.

Artikulli paraprakPranimi i fajit nga shefi i Shtabit të Ushtrisë, dëshmi për krimet e shtetit serb në Kosovë
Artikulli vijuesIrak: 33 të vrarë, 150 të plagosur