SHBA, së shpejti hetime kundër Lëvizjes Gulen për shkak të aktiviteteve kriminale

“Ne e dimë se njerëzit e Gulenit në SHBA paratë nga të hyrat publike i transferojnë në firmat e njerëzve të tyre”, tha Amsterdam

Firma ndërkombëtare ligjore Amsterdam&Partners paralajmëroi se javën e ardhshme zyrtarëve në shtetin federal amerikan të Teksasit do t’iu dorëzojë “një dosje të plotë të akuzave” në lidhje me shkollat në këtë shtet që janë të lidhur me organizatën terroriste FETO/PDY, gjegjësisht lëvizjen e njohur si Hizmet, të udhëhequr nga Fethullah Gulen, raporton Anadolu Agency (AA).

Një nga përfaqësuesit e zyrës së avokatëve Robert Amsterdam, në deklaratën për AA, tha se ky do të jetë hapi i parë në fillimin e procesit ligjor kundër shkollave të Gulenit në Teksas.

“Ne kemi përgatitur një dosje gjithëpërfshirëse të aktiviteteve kriminale të strukturave paralele në rajonin e Teksasit. Javën e ardhshme ne do t’iu dorëzojmë dosjen zyrtarëve të këtij shteti”, ka thënë Amsterdam.

Sipas tij, në këtë dosje janë aktivitetet kriminale të institucioneve arsimore Harmony, të lidhura me Gulenin, ndërsa bëhet fjalë për aktivitete të tilla si mashtrime të emigracionit.

“Ne e dimë se njerëzit e Gulenit në SHBA paratë nga të hyrat publike i transferojnë në firmat e njerëzve të tyre. Gjithashtu ne e dimë se strukturat paralele përdorin edhe donacione politike për realizimin e qëllimeve të tyre në SHBA”, tha Amsterdam.

Ai theksoi se procesi kundër strukturave paralele nuk është politik, por një proces ligjor.

“Qeveria turke është gjithashtu shumë e vendosur të zbulojë aktivitetet kriminale të këtyre strukturave. Aktivitetet e këtyre strukturave kanë për qëllim të shkatërrojnë parimet demokratike në Turqi, ndërsa atë tani e bëjnë në SHBA. Atë çfarë bëjnë ata është sistematike dhe operacion i infiltruar gjithëpërfshirës, e cila paraqet rrezik për demokracinë amerikane”, tha ai.

Amsterdam shtoi ende po zgjasin proceset tjera kundër Fethullah Gulenit, por edhe kundër shkollave të kësaj lëvizjeje në shtetet tjera federale. Përndryshe, firma ligjore Amsterdam & Partners LLP ka nisur një hetim për veprimtarinë e shkollave private të Gulenit në Kaliforni dhe në Pensilvani, dhe më pas edhe tre hetime në institucionet e njëjta në Teksas.

Hetimet ndaj këtyre shkollave në SHBA udhëhiqen nga Zyra Federale e Hetimeve (FBI). Këto hetime janë iniciuar në qershor të vitit 2014, në 30 shkolla të “strukturave paralele” të cilat në Çikago njihen me emrin Concept Schools. Subjekt i hetimit janë pohimet se përmes këtyre shkollave nga subvencionet shtetërore në vlerë prej pesë milionë dollarësh në mënyrë të paligjshme kanë përfunduar në duart e anëtarëve të organizatës. Hetimet ende vazhdojnë.

Rikujtojmë se Fethullah Gulen është udhëheqës i organizatës FETO me të cilën në shumë institucione shtetërore janë të lidhur “struktura paralele”, të cilët me shpërdorimin e detyrës janë përpjekur të destabilizojnë vendin dhe të kryejnë grusht shtet.

Në lidhje me këtë organizatë, Turqia është duke udhëhequr një seri të rasteve gjyqësore në të cilat u ngritën akuza për përgjimet, shpërdorim të pozitës dhe autorizimeve, tentim për grusht shtet dhe aktivitete të tjera kriminale.

Operacioni i policisë kundër organizatave të Gulenit në Turqi nisi në vitin 2014 dhe deri më tani gjithsej janë arrestuar 3.146 persona të dyshuar. Një urdhër arresti është lëshuar ndaj 629 prej tyre.

Autoritetet turke kanë kërkuar më 2 shkurt nga SHBA-të shfuqizimin e “green card” për Fethullah Gulenin. Atij më 28 janar 2015 në bazë të “dëshmisë së rreme” i është anuluar pasaporta turke.

Artikulli paraprakRamadani: Kadri Veseli po bën presion të madh ti fsheh vrasësit e fëmijëve!
Artikulli vijuesSulm me bomba fuçi në Halep, 7 të vdekur dhe 32 të plgaosur