Shkelje sporadike të armëpushimit në Ukrainë

Armëpushimi në Ukrainë ka vazhduar të mbahet në përgjithësi, edhe pas 24 orëve të hyrjes në fuqi.

 

Disa shkelje sporadike, megjithatë, janë raportuar, duke përfshirë granatimet e vazhdueshme përreth qytetit Debaltseve.

 

Të shtënat nga separatistët pro-rusë në Debaltseve mbeten pika kryesore e shqetësimit për armëpushim, pasi komandanti i rebelëve i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se forcat e tij mund të hapin zjarr në qytet dhe territorin përreth tij, pasi ai është “territori i tyre”.

 

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila është përgjegjëse për monitorimin e armëpushimit, ka thënë se separatistët kanë bllokuar vëzhguesit e saj nga hyrja në Debaltseve.

 

Zëdhënësi i OSBE-së, Michael Bociurkiw, ka thënë se shumica e shkeljeve të armëpushimit janë bërë përreth zonës së Debaltseves, por edhe pranë qyteteve që kontrollohen nga rebelët, Donjeck dhe Luhansk.

 

Shpërthime të rralla janë dëgjuar edhe jashtë qytetit Mariupol.

 

Ushtria e Ukrainës ka thënë se separatistët janë duke përdorur armë të ndryshme, përfshirë raketa Grad, për të sulmuar Debaltseven.

 

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se marrëveshja për armëpushim, e cila është nënshkruar në Minsk më 12 shkurt, po kërcënohet nga situata përreth Debaltseves.

 

Sekretari amerian i Shtetit, John Kerry, ka biseduar në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe ka theksuar “rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Minskut”.

 

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Marrëveshja e Minskut duhet të respektohet pa kushte nga të gjitha palët, por ai nuk ka përmendur në mënyrë të veçantë Debaltseven.

 

Forcat ukrainase në Debaltseve, e cila është një nyje e rëndësishme e transportit midis Donjeckut dhe Luhanskut, kanë zmbrapsur separatistët pro-rusë për disa javë.

 

Por, rebelët kanë thënë se kanë rrethuar plotësisht qytetin dhe, në këtë mënyrë, edhe mijëra trupa ukrainase.

 

Uashingtoni ka thënë se forca të rregullta ruse, së bashku me tanke dhe lëshues të raketave, kanë hyrë në Debaltseve në ditët para armëpushimit.

 

Rusia mohon mbështetjen për rebelët dhe thotë se nuk ka trupa në Ukrainë.

 

Sipas Marrëveshjes së Minskut, të arritur midis Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës, ndërprerja e armiqësive është vetëm hapi i parë dhe ajo duhet të pasohet me tërheqjen e armëve të rënda dhe me krijimin e zonës së demilitarizuar.

 

Zyrtarët thonë se mbi 5,400 njerëz janë vrarë prejse ka nisur konflikti midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe atyre separatiste, në prill të vitit të kaluar, por Kombet e Bashkuara besojnë se numri aktual i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

 

Pavarësisht armëpushimit, Bashkimi Evropian pritet të shojë edhe 19 emra të rinj të rusëve dhe ukrainasve, të cilët do të jenë subjekt i ndalesave të udhëtimit dhe ngrirjes së aseteve, për shkak të rolit të tyre në konfliktin në lindje të Ukrainës. (v.tela)/evropaelire

Artikulli paraprakMaqedoni: Integrimi, nën hijen e aferës së përgjimeve
Artikulli vijuesKosova mbetet në terr për Pavarësi