Shpërthimi në Ratkoc ishte aq i fuqishëm saqë hodhi të pranishmit jashtë lokalit

Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes një komunikatë për media ka thënë disa detaje për shpërthimin e bombolës që ndodhi mbrëmë në Ratkoc të Rahovecit.

“Me datë 18 janar 2018, rreth orës 20:00, në Komunën e Rahovecit, pikërisht në një lokal në fshatin Ratkovc ka ndodhur një shpërthim i një bombole të gazit, në bodrumin e të njëjtit lokal. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, saqë i ka hedhur të pranishmit jashtë lokalit, me ç ‘rast lëndime të lehta trupore kanë marrë 15 persona, të cilët kanë pranuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal në Gjakovë, ku pas trajtimit 11 prej tyre janë lëshuar në shtëpi dhe 4 prej tyre kanë qëndruar për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftim, transmeton Koha.net.

Tutje thuhet se vlerësimi momental edhe nga ana e policisë konsiderohet që shpërthimi ka qenë aksidental.

“Por, sot prapë do të dalin në vendin e ngjarjes, për të vlerësuar shkaktarin e shpërthimit’, thuhet në njoftim.

Shpërthimi ndodhi në qebaptoren “Te Dollari”. KTV-ja ishte mbrëmë e pranishme në vendin e ngjarjes, më pas ka shkuar edhe në spitalin e Gjakovës ku po trajtoheshin të lënduarit.

Në mesin e të lënduarve më rëndë, ishte djali i pronarit të këtij lokali.

Artikulli paraprakMustafa: Gjykatën Speciale na e imponuan
Artikulli vijuesReagon Adnan Hyseni, e quan të pavërtetë raportimin e QKUK-së