Shqipëri: Arrestohen dy hoxhollarë të Shqipërisë së bashku me disa persona të tjerë

TIRANË – Policia ka vënë në pranga disa persona, mes të cilëve edhe 2 imama xhamie, të dyshuar si të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri. Personave iu janë gjetur armë zjarri që dyshohet se do përdoreshin për luftën ne Siri.

Arrestimet janë kryer në një xhami tek Unaza e Re e Tiranës.

Të arrestuar janë shtetasit, Genc Balla, imam në xhaminë e Unazës së re, Bujar Hysa, imam në xhaminë e Mzezit, Edmond Balla, Verdi Morava, Fadil Myslimani, Zeqir Imeri dhe Almir Daçi.

Mësohet se hetimi për arrestimin e këtyre personave ka zgjatur rreth 9 muaj dhe se është kryer nga SHISH. Aksioni përveç Tiranës është zgjeruar dhe në qytete të tjera, si Pogradec, Librazhd e Elbasan.

Burimet zyrtare kanë thënë se personat akuzohen për terrorizëm, ndërsa dyshohet se dërgonin në Siri persona që më pas bëheshin pjesë e formacioneve luftuese atje.

Besimtari: Kjo luftë ndaj Islamit

Një besimtar mysliman pranë Xhamisë tek Unaza e Re tregon momentet e arrestimit të besimtarëve sot në ambientet e kësaj xhamie. Sipas tij, akuzat për rekrutime në Siri janë sajesa, ndërsa akuzoi policinë se sot përdhosën ambientet e xhamisë.

Sot u arrestuan disa persona në xhaminë ku faleni, na tregoni momentet…

Ata ishin me këpucë me çizme dhe hynë në tapetin e xhamisë imagjinoni, aty është vend ku falen njerëzit. Ne kishim dëgjuar nëpër lajme se ndodhin gjëra të tilla, por nuk e besonim se do të na ndodhte neve diçka e tillë. Ju jeni njerëz në radhë të parë, ata do bëjnë detyrën, por kjo është xhami. U thashë, policëve. Ju nuk duhet të dhunoni institucionet fetare, por duhen respektuar normat njerëzore më të thjeshta.

Po çfarë kërkonin ata, ju thanë? Gjetën armë e tritol?
Ata kërkonin për armë dhe tritol. E besoni që mund të ketë në xhami një gjë të tillë? Akuzat janë akuza dhe çfarë ndodhi sot, ka vetëm një përgjigje. Kërkohet të njolloset feja islame me akuza për terrorizëm. Çfarë terrorizmi kemi bërë flisni?

Ata thonë se ka rekrutime në Siri?
Shteti e ka sajuar atë që ka sajuar. Nëse duan le të vazhdojnë atë çfarë kanë urdhëruar. Kjo është një luftë ndaj Islamit dhe besimtarëve të Islamit. Ja ku po ja them se na duket vetja si në kohën e komunizmit. Më duket se komunizmi po vjen…

Çfarë kërkoni ju?
Ne kërkojmë të lirohen vëllezërit tanë, na kanë mësuar të largohemi nga e keqja. Këto janë akuza si gjithkund. Ne besojmë Kuranin. Nuk e kemi frikë policinë, kemi vetëm Zotin. Ata janë pa faj. Çfarë mendoni ju se njerëzit çohen pako në Siri. Lerini mo këto, këto janë përralla.

Artikulli paraprakNjë burrë nga Arabia Saudite, film aksion në jetën reale
Artikulli vijuesUshqimi i islamofobisë dhe prishja e ekuilibrit social