Shqiptari nga Siria, tregon historinë e tij

Tash kur rrugët e Evropës janë plot rrefugjatë nga Siria dhe bota po sheh e trishtuar dhimbjen dhe peripetitë që po i kalojnë këta njerëz, dikush në Vjenë po mendon mes lotëve për ata që ende gjenden në Siri.
Është mjeku gjinekolog, shqiptari Abdul Halim Arnauti, i lindur dhe i rritur në Damaskë, i cili çdo ditë zgjohet duke menduar për dy vëllezërit e tij që gjenden në shtëpi, në kryeqytetin sirianë dhe po rrefuzojnë të bëhen rrefugjatë.

“Dy vëllezërit i kam atje. Ata s’duan ti pengojnë askujt. Kanë kokë shqiptari, nuk i braktisin shtëpitë. Po flas në telefon, më thonë që janë mirë por s’mund të flasin shumë” tregon Dr. Arnauti, tashmë i penzionuar, i cili tash e 40 vite jeton në Vjenë.

Ai sqaron se bisedat me ta s’mund të jenë të gjata për shkak të përgjimeve dhe rrëzikut por me krenari tregon se vëllezërit e tij po mbahen dhe po e ruajnë pragun e shtëpisë ashtu siç thonë zakonet shqiptare.

Me doktor Arnautin, flasim bashkë me një shqipe jo shumë të qartë. Ai gjuhën e të parëve të tij e mësoi në Vjenë, ku ishte më afër Kosovës dhe takoj më shumë shqiptarë.

“Në Damask, në lagjen tonë nuk kishim shqiptar dhe mes vete flitnim gjuhën e vendit. Lagjja shqiptare ishte pak më larg” thotë ai.

Sipas tij lagjja shqiptare ishte e njohur në Damaskë. Para 25 vjetëve ajo ishte njëra prej pjesëve më luksoze të qytetit. Edhe familja e tij kish aty një tokë. Por, ato pasuri të shqipëtarëve ishin marr nga qeveria siriane dhe banorët shqiptarë të shtëpive detyroheshin të pagonin qera.

Por, ku janë ata shqiptarë sot, doktor Arnouti nuk ka shumë përgjigje. Mund të jenë rrefugjatë nëpër rrugët e Evropës siç u raportua për një rast, disa ditë më parë, në kufirin e Greqisë me Maqedoninë.

“Vëllai im thotë që gjenden rreth 18.000 persona në Siri me mbiemrin Arnauti, një mbiemër ky i cili iu është vënë shqiptarëve që shkonin nga Turqia në Lindje të Mesme, kurse ata që kanë ardh në Siri pas turkut, e kanë mbajt mbiemrin si e kanë pas në Kosovë apo Shqipëri” rrëfen ai.

Doktor Arnauti ka punuar gjithë jetën si mjek specialist në Austri. Dhe çysh kur erdhi për studime të mjekësisë, ky shtet u bë shtëpia e tij.

“Unë doja të studioja në Universitetin e Stanfordit në Amerikë, dhe hyra në provim për atë universitet, por pastaj e mësova se aty përparësi kishin amerikanët e pastaj të huajt. Baba më thoshte, nëse don mjekësi duhet të shkosh në Vjenë ndërsa nëse don teknikë shko në Lion – Francë. Dhe unë erdha në Vjenë” tregon ai.

Me gjyshërit e ikur nga Kosova, i lindur në Damask dhe duke qenë pjesën më të madhe të jetës në Austri, ai thotë që ndjehet shqiptar.

Kafenë e zgjedh ta pijë në restaurantin “Noli” në distriktin e parë, ku pronarë është një shqiptari nga Maqedonia dhe për këtë përzgjedhje ai përgjigjet kështu:

“Baba na ka thënë, kur të duhet diçka e blenë të shqiptari, nuk ka shqiptar e blenë te myslimani, veç ma së pari te shqiptari”.

Ndërsa shtëpia e tij është si çdo shtëpi shqiptari. Gjatë vizitave në Austri aty rrinte presidenti i ndjeri i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Emigrimi i familjes së Osman Doganit në Siri

Babai i tij, Osman Dogani, ishte 9 vjeçarë kur arritën në Siri. Doktor Arnauti, thotë që me datat nuk është i sigurt mirëpo historinë e familjes e tregon ashtu siç ia ka treguar babai i tij.

Sipas tij, familja Dogani ishin një familje e fuqishme dhe e pasur, e vendosur në fshatin Doganaj, Koshare dhe Pelipojë. Dikur ajo familje ishte e pasur, patriote dhe mjaft e popullarizuar.

“Gjyshja ime ishte qika e Sefë Koshares, i cili u vra në vitin 1881. Shtëpia jonë është djegë shumë herë nga turqit dhe në fund nga serbët” https://sq.wikipedia.org/wiki/Sefë_Kosharja

Në vitin 1913 familja Dogani më vonë Arnauti, lë Kosovën dhe niset për Turqi.

“E kam pasaportin e mbretit serb me të cilin familja ime kanë ik nga Kosova. Kanë mendu që Turqia kthehet prap në këto anë. Mendoj që nja dy vjet ata kanë qëndru në Turqi dhe diku 1915 apo 16 kanë përfunduar udhëtimin në Damaskë” tregon ai.

 

Sipas rrëfimeve të babait të tij, turqit i pritën shumë mirë familjen Dogani, iu dhanë shtëpi dhe toka për shkak të namit që kishin.

“Por, ata panë fëmijët e turqve që po luanin futboll me kafka njerëzish dhe i pyetën se të kujt janë këto kafka dhe turqit u përgjigjen se janë të armenëve, ish pronarët e këtyre tokave dhe shtëpive. Dhe atë moment familja jonë vendosi që s’duhet të rrijnë aty” rrëfen dr. Arnauti.

Familja Dogani arriti së pari në Aleppo të Sirisë dhe pastaj u sistemua përfundimisht në Damaskë.

“Me alepojanët gjithashtu kanë pas probleme. Arabët janë të egër, dikush e ka rrah një fëmijë dhe vëllai i gjyshit tim ka hy në konflikt sepse për shqiptarët fëmijët janë të shenjtë. Pastaj ata lëshuan Aleppon dhe gjyshja kishtë thënë “ku po na dërgon, këtu kodrat nuk paskan pemë” vazhdon rrëfimin ai.

Doktor Arnauti beson që familja e tij para 180 vjetëve janë konvertuar në mysliman. Ai thotë që familja e tij janë fis Kryeziu dhe mbiemrin nga Dogani, në Arnauti, ua dhanë turqit.

“Edhe në Siri, familja ka pas para të mjaftueshme të jetojë. Mendohet se shtëpinë e blejtën rreth 700 alltan lira dhe babai im kishte kalin dhe qenin e tij”.

Ai tregon një histori që e kishte dëgjuar nga shkrimari i njohur Abdyl Latif Arnaut http://gazetadielli.com/arnautet-e-sirise-nje-shqiperi-e-vogel-larg-atdheut-te-tyre/ për familjen e tij.

“Në vitin 1988 në Siri jam takuar me te, me një darsëm dhe më ka tregu që familja ime iu ka dhënë bukë nevojtarëve shqiptarë në Damaskë. Kushdo që ka trokitë në derë natën, i është dhënë një bukë, pa e pa fare. Kjo për arsye që shqiptarët mos të bëjnë betere. Unë i kam thënë se baba s’ka tregu për këtë ngjarje dhe ai ka thënë krejt shqiptarët e Damaskës e dijnë këtë histori” tregon ai.

Jeta ka rrjedh natyrshëm për banorët shqiptarë të Sirisë, dhe doktor Arnauti i lindur në vitin 1940 nga një nënë dhe baba shqiptar erdhi në Kosovë në vitin 1970 për herë të parë.

Nuk mund të përmbahet nga emocionet kur kujton mbrëmjen kur arritën në Kosovë. Familjarët nuk e kishin harruar Osman Doganin, i cili po kërkonte në lagjen ku dikur e kishin shtëpinë.

Ata u pritën nga të gjithë, dhe doktori vjenez thotë se prej atëherë shkon gati çdo vit në Kosovë.

Tash mbesat dhe nipat e tij, pra fëmijët e katër vëllezërve dhe tre motrave jetojnë të shprëndarë në gjithë botën.

“Disa janë në Amerikë, Argjentinë, Stamboll, gjithka jemi ne” thotë ai duke qeshur.

Edhe vet doktor Arnauti e kishte të ndaluar të kthehet në Siri për shumë vjet për shkak të një dënimi pa kuptim që ishte marr në mungesë të tij.

“Më kanë vdekë baba dhe nana dhe s’kam qenë me i varros. Për shkak të suksesit tim në Austri, sirianët më kanë pas inat. Ata thoshin ti i huaj me kry mjeksinë. Ishin primitiv, as tash nuk mund ti kuptoj” thotë ai.

75 vjeçari i cili ishte i “huaj” në Siri, vazhdon të jetë i “huaj” në Austri, por kjo se pengoj që t’ia dedikojë gjithë jetën mjekësisë.

Tash i pensionuar qanë kur sheh lajmet dhe thotë që s’mund t’i shohë pamjet e rrefugjatëve.

“Pas luftës në Kosovë, shkova për ti parë familjarët e mijë, e dija që ata nuk i lënë shtëpitë. Kam dëgjuar rrëfime të tmerrshme. Që atëherë saherë të dëgjoj diçka të dhimbshme qajë. Është e çuditshme. Është katastrofë kur e sheh gjendjen dhe nuk mundesh të bësh asgjë” thotë ai.

Për shkak të kufizimeve që ia shkakton mosnjohja mirë e gjuhës shqipe, ai nuk dëgjon shumë lajme nga Kosova. Për shqiptarët ai i mbanë tregimet e veta që ia ka mësuar babai, rreth trimërisë, bujarisë e besës.

I pyetur se çka mendon për shqiptarët që po luftojnë në Siri ai thotë që kjo është një luftë që ne s’duhet të përfshihemi. Nuk beson që video të shqiptarëve duke bërë vrasje po qarkullojnë në youtube.

“Jam taku njëherë me njërin që donte të shkoj në Siri, i kam thënë me çfarë të drejte do ti lësh fëmijët jetima. Dhe ai s’ka shku. Ai ka desht me u hakmarr kundër Assadit, sepse dikend të familjes së tij e kanë vra në Siri. i kam thënë kjo nuk është lufta jonë, se din gjuhën, vendin dhe me u bo diçka arabët të bëjnë ty fajtorë” tregon ai.

“S’më thotë mendja se shqiptari bënë vrasje. Nuk jemi ne të tillë. Dikur jemi rreh me arabë – vetëm nëse fliste dikush keq për shqiptarët. S’duhet ashtu të prishet imazhi i shqiparit” përfundon ai.

Artikulli paraprakDacic përfshihet në skandal, ia publikojnë videon komprometuese me bosin e drogës (VIDEO)
Artikulli vijuesDigjet e gjallë në shtëpi një plakë