Detaje të reja janë zbuluar nga aksioni i përbashkët i tre policive, asaj shqiptare, italiane dhe malazeze për kapjen e një gomoneje të dyshuar se po transportonte lëndë narkotike.
Burimet nga Policia e Shtetit thanë se rreth orës 13.50, radari i Policisë Kufitare Shqiptare ka konstatuar një mjet lundrues që lëviste me shpejtësi në drejtim të Mezo-kanalit, Sazan.
Mësohet se nga pamjet filmike të realizuara nga helikopteri i FA në bordin e gomones dalloheshin tre persona dhe disa bidona plastikë, ndërsa pjesa tjetër e bordit ishte bosh.
Policia thekson se në ndjekje të gomones janë vënë 3 mjete lundruese të Policisë Kufitare dhe të Delta Forcë.
Gjithashtu, bëhet me dije se është ngritur në fluturim një helikopter “COUGAR” i FA-së, i cili ka ndjekur në ujrat neutrale për rreth 1 orë gomonen që lëviste me shpejtësi, duke bërë manovra në det me qëllim t’i shmangej ndjekies së helikopterit.
Policia tha se gomonia dyshohet se do merrte lëndën narkotike në Sazan me qëllim trafikimin në drejtim të Italisë.
Nga krehja e zonës në gadishullin e Karaburunit, në vendin e quajtur “Bristan”, midis shkëmbinjve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28 kilogramë lëndë narkotike të ndarë në 5 pako.
“Deri tani nuk është bërë e mundur kapja e gomones, pasi dyshohet se është fshehur në ndonje gji bregdetar, në ujrat territoriale midis Malit të Zi dhe Kroacisë, por vijon kërkimi nga ajri nga GdF”,-thuhet në njoftimin e policisë.
Policia Kufitare, Delta Forcë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë po vijojnë kontrollet në zonë.