Shtatëfishohen grupet kriminale që merren me drogë

Grupet kriminale, të cilat merren me trafikim, kultivim e shitje të lëndëve narkotike janë shtatëfishuar në Kosovë.

Të dhënat e Policisë së Kosovës (PK) bëjnë të ditur se gjatë vitit që shkoi janë identifikuar 58 grupe të tilla, përderisa në vitin paraprak ishin vetëm shtatë sosh.

Ndërkaq numri i poseduesve të këtyre lëndëve është rritur për gati 50 për qind. Zëdhënësi i PK-së, Brahim Sadriu, ka bërë të ditur se gjatë 2012-ës policia kishte identifikuar 527 raste që lidhen me trafikim, posedim, përdorim apo kultivim të drogave në Kosovë.

“Gjatë vitit që shkoi janë arrestuar 30 persona më tepër lidhur me lëndët narkotike sesa në vitin 2011, vit ky gjatë të cilit ishin arrestuar 547 persona”, ka thënë Sadriu.

Nga të dhënat statistikore të PK-së del se shumica e të arrestuarve ishin shqiptarë, ndërsa vërehet edhe një ngritje e numrit të të involvuarve edhe nga komuniteti serb.

Po ashtu gjatë vitit 2012 kishte pasur ngritje edhe tek numri i femrave të përfshira në rastet që lidhen me narkotikë nga 18 që ishin në 2011-ën në 25 femra.

Sadriu ka thënë se gjatë vitit që shkoi në krahasim me 2011-ën, në luftën kundër substancave narkotike, është arritur të konfiskohen një numër më i madh i këtyre substancave.”Gjatë 2012-ës në Kosovë janë konfiskuar 33 kilogramë më tepër drogë të llojit heroinë se në vitin 2011.

Do të thotë 56 për qind më tepër se në vitin 2011. Janë konfiskuar afro 95 kilogramë”, ka shtuar ai.
Ndërkaq ngritje gati pesëfish ka pësuar konfiskimi i drogës së llojit marihuanë.

Përderisa në 2011-ën ishin konfiskuar 216 kilogramë një vit më pas kjo sasi kishte arritur në mbi 1 mijë e 200 kilogramë.

Edhe konfiskimi i drogës së llojit kokainë paraqitet nga PK-ja të jetë dyfishuar gjatë 2012-ës si dhe i bimëve të kanabisit.
Rënie të madhe ka pësuar konfiskimi i substancës narkotike të llojit “ekstazi”. “Gjatë vitit që shkoi janë konfiskuar 356 për qind më pak sesa në vitin 2011”, ka thënë Sadriu.

Sa u përket armëve të konfiskuara në rastet që lidhen me narkotikë, nga të dhënat policore del se janë konfiskuar 41 armë më tepër në 2012-ën. Edhe numri i parave të konfiskuara ishte trefishuar.

“Përderisa në vitin 2011 ishin konfiskuar mbi 19 mijë euro gjatë vitit në vijim u konfiskuan mbi 71 mijë euro”, ka thënë Sadriu, sipas të cilit ka pasur ngritje edhe të numrit të veturave të konfiskuara që lidhen me rastet me narkotikë.

“ Nga 26 vetura që ishin konfiskuar në vitin 2011, një vit më pas ky numër shkoi në 46”, ka bërë të ditur ai.
“Bazuar në aktivitetet tona, konsumuesit e substancës narkotike të llojit marihuanë janë kryesisht mosha të reja, ndërsa përdoruesit e heroinës janë më të vjetër, mesatarja 25-35 vjeçar.

Lidhur me numrin e zyrtarëve policorë që punojnë në Drejtorinë për hetimin e trafikimit me substanca narkotike mund të themi se kemi një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve, të cilët janë të trajnuar për hetimin e rasteve të kësaj natyre dhe suksesi vërehet viteve të fundit”, ka thënë Sadriu.

Ndërsa Safet Blakaj, drejtori i qendrës mjekësore psikoterapike “Labyrinth”, e cila merret me programe trajtuese dhe për zvogëlim të dëmit për përdoruesit e drogave, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2012, në këtë qendër kanë kërkuar ndihmë 94 persona për shkak të varshmërisë nga droga.

Kjo shifër, sipas tij, është diku 16 për qind më e vogël sesa në vitin 2011.

Por kjo rënie nuk e siguron Blakajn që numri i përdoruesve “problematikë” të drogave po bie
Blakaj ka vlerësuar se është në rritje numri i përdoruesve të heroinës si dhe i atyre që njihen si polidroga.kohaislame

Artikulli paraprak“Serbisë do t’i duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës”
Artikulli vijuesQentë endacak shqetësojnë personelin në QKUK