Mijëra fëmijë, punëtorë fizikë në Kosovë

Mijëra fëmijë të moshave deri në 14 vjeç në Kosovë, punojnë punë të rrezikshme, jetojnë në varfëri ekstreme dhe ushtrohet dhunë psikologjike dhe fizike ndaj tyre. Sipas të dhënave të mbledhura nga institucionet e Kosovës, përfshirë ato të sigurisë, 32,8 për qind është niveli i varfërisë së fëmijëve, në kuadër të rreth 30 për qind të varfërisë totale që llogaritet të jetë në nivel të Kosovës.

Kurse 10 për qind e fëmijëve të Kosovës janë të përfshirë në punë, 6,8 për qind e fëmijëve punojnë punë në kushte të rrezikshme dhe 61,4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14-vjeçare kanë pësuar dhunë psikologjike dhe fizike. Këto të dhëna janë prezantuar gjatë lansimit të platformës “Miqtë e fëmijëve” nga koalicioni i OJQ-ve, për mbrojtjen e fëmijëve “KOMF”. Të mërkurën ishin mbledhur shumë personalitete nga diplomacia, arti, kultura, sporti, biznesi etj., duke premtuar se me platformën e re do të ndikojnë në rritjen e impaktit që ka të bëjë me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se është shumë i lumtur që i është bashkuar kësaj nisme, e cila promovon të drejtat e fëmijëve.

“Me këtë bashkëpunim ne sigurojmë se fëmijët mund të trajtohen si anëtar të barabartë të shoqërisë. Fëmijët kanë një vend të posaçëm në shoqërinë tonë. Ne kemi parë përmasime të kornizës ligjore, por konsiderojmë se mund të bëhet më shumë me mbrojtjen e fëmijëve sidomos atyre të minoriteteve”, ka thënë Zhbogar.

Të pranishëm në lansimin e platformës “Miqtë e fëmijëve”, ishin edhe diplomatë të akredituar në Kosovë, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar këtë nismë që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Në anën tjetër, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Conell, ka thënë se fëmijët janë e ardhmja e Kosovës dhe, sipas tij, është shumë e rëndësishme që ata të marrin pjesë në këto iniciativa.

“Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, është e qartë se fëmijët janë e ardhmja e Kosovës. Është shumë e rëndësishme për ne që të marrim pjesë në këto iniciativa. Ne kemi interes që t’ju mbështesim, ajo çka është tejet e rëndësishme që vetë kosovarët e kanë marrë këtë iniciativë, e cila ka për qëllim promovimin e të drejtave të fëmijëve. Unë do të dal në përkrahje të atyre që i përkrahin të drejtat e fëmijëve”, ka thënë O’Cornell.

Ndërkaq, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, ka thënë se Kosova është një shoqëri tradicionale, e cila është duke kaluar në një tranzicion, i cili do të mundësojë një trajtim më të mirë për fëmijët.

“Dua t’i uroj miqtë e fëmijëve sepse është një shembull i mirë i kujdesit për shoqërinë, dhe është shumë mirë që të shohim këtë për fëmijët. Shpresoj që Qeveria të shohë këtë si bashkëpunim. Dua të them se këtu është një vend në tranzicion dhe një shoqëri tradicionale, e cila ka disa praktika që vendet e BE-së, i kanë lënë anash me vite të tëra. Kosova është pjesë e këtij tranzicioni dhe jam i sigurt se ju do ta kaloni këtë tranciozion i cili ka të bëjë me trajtimin e fëmijëve. Si të moshuar duhet të punojmë në mbrojtjen e fëmijëve, dhe nëse dëshirojmë që shoqëria jonë të jetë një shoqëri me vlera njerëzore, atëherë ne duhet të bëjmë shumë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. 3,8% mjeteve buxhetore të alokuara për fëmijë është një shumë mjaft e vogël”, ka thënë ambasadori norvegjez.

E, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë një kujdes më të madh për të rinjtë.

“Kosova është një nga vendet që pjesën më të madhe të popullsisë e ka të re, ajo që duhet të bëjnë autoritetet e Kosovës është një kujdes më i madh për këta të rinj. Shoqëria duhet të jetë më shumë e interesuar për mirërritjen e fëmijëve. Kosova sot ka një brez të rinjsh të talentuar, ku dalin nga një fëmijëri e shëndetshme. Prandaj të gjithë së bashku duhet të japim kontributin tonë. Fëmijët kanë nevojë për mbështetje, duke punuar për fëmijët sot, kemi punuar për të ardhmen”, ka thënë ambasadori Minxhozi.

Artikulli paraprakKUR “Prishtina”: Kurseni ujin e pijshëm
Artikulli vijuesMarrëveshja për tregëti të lirë mes SHBA dhe BE-së drejt dështimit