Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, do të takohen në Uashington, ndërsa ndër temat kryesore që do të trajtohen, pritet të jenë e ardhmja e NATO-s dhe konflikti në Ukrainë.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë, po ashtu, se Trump do të dëshironte t’i dëgjonte pikëpamjet e zonjës Merkel për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë takimit të tyre të parë në Shtëpinë e Bardhë, më 14 mars.
Merkel ka pasur raporte shumë të mira me ish-presidentin amerikan, Barack Obama, i cili pat vlerësuar se Angela Merkel ishte “partnerja më e afërt ndërkombëtare” e tij.
Por, në anën tjetër, Donald Trump, njëherë e ka akuzuar zonjën Merkel për “rrënim të Gjermanisë” duke lejuar numër të madh të të refugjatëve, ndërsa rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane, Hillary Clinton, e ka quajtur “Angela Merkel amerikane”.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, mbrëmë nuk ka bërë komente për këto çështje, por tha se për këtë takim ka “shumë entuziazëm në të dy anët e oqeanit”.