Si e ka pushtuar droga shoqërinë shqiptare prej 25 vitesh

Debati për drogën është ngritur në parlament dhe madje në krye të tij.

Sot foli edhe Ilir Meta, i cili thumboi aleatin e tij në qeveri duke thënë se nuk duhet të jetë kanabisi sot prioritet.

Po ç’ka ndodhur me drogën në Shqipëri? A mos vallë droga hyri sot në vend dhe është bërë “Kolumbi” siç tha Arben Ristani në Ishëm?!

Në fakt harrohet se droga është një dramë, një gjëmë që ka tronditur shoqërinë Shqiptare që në rënien e komunizmit.

Në vitet e para pas ardhjes së demokracisë, në “Rrugën e Durrësit” heroina shitej e varur mes pallatesh fare pranë rrugës së ambasadave.

Tirana u kthye në qendrën jo vetëm të trafikut, por droga u bë si kulturë urbane e kryeqytetit.

Njësoj si filmi i famshëm franko-italian me regji të Luigi Pirellit “Nëse një ditë do të trokasësh në portën time…”, fëmijët e familjeve intelektuale u kthyen në viktimat e para dhe të tmerrshme të përdorimit të drogës.

Mbahen mend fëmijë vipash të politikës dhe artit, e po ashtu vetë artistë e figura publike të sferave të ndryshme, personazhe të njohura të jetës urbane, që e bënë heroinën ushqim, duke i hapur rrugë asaj  që tashmë konsideerihet një dramë e tmerrshme sociale në  vend.

Në atë kohën bënte ligjin “e kuqja”, pra heroina që vinte nga Irani e Siria, por edhe Afganistani duke u trafikuar nëpër Turqi, Greqi e më pas nga Shqipëria në Europë.

Në trafikun e heroinës u angazhuan strukturat më të larta të shtetit.

Kështu, struktura e parë antidrogë në Shqipëri ishte dhe trafikuesja më e madhe e heroinës.

Në vitin 1997 në Shqipëri ndodhi kataklizmoja e larjes së hesapeve ndërmjet trafikantëve të rinj, që ishin bërë edhe “vipat e Tiranës të cilët bashkëjetonin me vajzat më të bukura të spektakleve në vend.

Mbahen mend vrasjet e Denis Ginës, Alban Danit, Artur Grorit, Naim Zyberit, Mirit të Xhikes etj etj.

Me kalimin e viteve heroina ra dhe nuk është më droga e preferuar e rinisë perëndimore, e cila në fakt është tregu i narkotikëve që kultivohen në Lindje, trafikohet nëpërmjet Ballkanit dhe përdorohen në Perëndim.

Kokaina dhe kanabisi u kthyen në izotropet më të përhapura në Europë.

Kokaina që vjen nga Amerika Latine përdoret nga pjesa e pasur e shoqërisë, ndërsa hashashi tymoset nga të varfrit, nga studentët, nxënësit, revolucionarët dhe “naçut e rrugës”, por kërkesa për të është shumë e lartë.

Hollanda e legalizoi, madje e shet me “letra”. Sot e bëri këtë edhe Italia ku tymosja e barit prej shumë vitesh është bërë legjendë.

Edhe në Shqipëri, tek të rinjtë tashmë është koha e “barit” dhe jo e së “kuqes”.

Nuk ka ambjent në kryeqytet që të mos kutërbojë hashash, pa folur për bregdetin elitar të Jonit.

Po atëherë pse s’ka folur politika për të gjitha këto fakte që janë drama e shoqërisë shqiptare?

Të rinjtë tanë drogohen ndërsa mbushin klubet e natës çdo fundjavë.

Në bllok vriten çdo muaj eksponentë të trafikut të kanabisit në vend dhe askush nuk flet.

Kanabisi në Lazarat kishte bërë “kështjellën” e tij ose “Koperativën e Tipit të Latë”, por ai është kultivuar kudo.

Kemi prej vitesh lajme që vijnë nga Berati, Vlora, Kruja, Dibra, Mati e Dibra, madje dhe Puka e Tropoja që mbjellin hashash.

Prej vitit 1997 kanabisi është mbjellur kudo, por është fakt që pas rënies së Lazaratit nisi një devijim apo kanalizim i mafies së kultivimit.

Nis të sigurohen fara të përshtatshme për zonat e tjera që të rritet për një kohë të shkurtër dhe me sa më shumë prodhim.

Me një fjalë u trajtua në kushte më shkencore.

Dhe ky është një problem që ndodh çdo ditë, kudo në çdo qytet të vendit, por tek ne trajtohet vetëm si luftë politike.

Ndoshta çdokush ka të drejtë të akuzojë qeverinë sepse ajo ka instrumentet për të luftuar drogën.

Por fakt është që Shqipëria është prej 20 vitesh e droguar dhe jo vetëm nga tre narkotikë siç është kanabisi, kokaina e heroina, por edhe nga imoraliteti, babëzia dhe pashpirtësia që e kanë kthyer shoqërinë në një vampir djallëzor që i pi gjakun çdo viktime të pambrojtur.

Si në kohën e Nuhut, e keqja ka mbulur njerëzimin duke e kthyer debatin për drogën në polemikë biznesi dhe jo një alarm për të shpëtuar shoqërinë e sëmurë. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakRegjimi i Asadit ka shkelur armëpushimin qindra herë
Artikulli vijuesRegjimi i Asadit sulme ndaj civilëve në Halep, disa të vdekur