Si i largojnë gjynahet engjëjt prej njeriut?

Pasojë e gjynaheve është fakti se ato largojnë nga njeriu mikun e tij, krijesën më të dobishme për të, atë që e këshillon më tepër, afër të cilit është lumturia. Ai është engjëlli i ngarkuar për ruajtjen e tij. Ato (gjynahet) i afrojnë atij armikun, krijesën më të përbetuar kundër tij, më të dëmshmen, sepse, nëse njeriu nuk i bindet Allahut, engjëlli largohet nga ai dhe afrohet Shejtani. Ai (engjëlli) mund të largohet shumë prej tij vetëm për shkak të një gënjeshtre.

Në disa citate thuhet: “Kur njeriu gënjen, engjëjt largohen një milje prej tij, për shkak të erës së tij të keqe.”[1]

Nëse kjo largësi ndodh për hir të një gënjeshtre të vetme, sa mund të largohet engjëlli për gjynahe që janë më të mëdha se ky dhe më të pështirë?

Disa dijetarë të hershëm kanë thënë: Nëse një mashkull qëndron mbi një mashkull tjetër, toka ulëret tek Allahu, engjëjt marrin arratinë drejt Tij dhe ankohen për atë që kanë parë.

Disa dijetarë të tjerë kanë thënë: Kur njeriu ngrihet në mëngjes, shpejton drejt tij engjëlli dhe Shejtani. Nëse përmend Allahun duke e madhëruar (Allahu ekber), falënderuar (el-hamdulil-lah) dhe njësuar (la ilahe il-lallah), engjëlli e përzë Shejtanin dhe e merr njeriun në kujdestari. Nëse gdhin ndryshe, atëherë atë e merr nën kujdestari Shejtani.

Engjëlli vazhdon t’i afrohet robit derisa vendimi, pushteti dhe bindja t’i kalojë Atij, e kështu engjëjt do ta marrin përsipër gjatë gjithë jetës së tij, gjatë vdekjes dhe gjatë ringjalljes, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “S’ka dyshim, se ata që thanë se Allahu është Zoti ynë dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë ëngjët (në prag të vdekjes) dhe u thonë: “Mos u frikësoni, mos u pikëlloni, përgëzohuni me Xhenetin që ju është premtuar. Ne kujdesemi për ju, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, ku do të gjeni atë që dëshironi dhe gjithçka kërkoni.”[2]

Nëse për të kujdeset engjëlli, ky është krijesa më këshilluese, më e dobishme dhe më mirëbërësja. Ky të mban fort dhe të mëson, të forcon qëndrimin dhe të ndihmon. Allahu xh.sh. thotë: “Edhe kur Zoti yt u kumtoi engjëjve se: Unë jam me ju, pra, inkurajojini ata që besuan!”[3] Kështu që në prag të vdekjes, engjëlli i thotë: “Mos ki frikë, mos u dëshpëro dhe përgëzohu me atë që të gëzon.”[4] Ai e mbështet me fjalën e palëkundur (Shehadetin) në momentet më të vështira të kësaj jete, gjatë vdekjes dhe gjatë pyetjeve në varr.

Kështu pra, nuk ka gjë më të dobishme për njeriun se shoqëria e engjëllit, i cili është kujdestari i tij në gjumë dhe zgjim, gjatë jetës dhe gjatë vdekjes, inkurajuesi i tij gjatë stresit, shoku i tij në vetmi, bashkëfolësi i tij gjatë fshehjes, bashkëluftëtari i tij, mbrojtësi dhe ndihmësi, premtuesi i të mirave dhe e përgëzuesi me to, nxitësi për të pohuar të vërtetën. Në një citat (merfu dhe meukuf)[5] thuhet: “Në zemrën e robit futet një dëshirë nga engjëlli dhe Shejtani. Engjëlli fut dëshirën e premtimit me të mirë dhe mbajtjes së premtimit, kurse Shejtani fut dëshirën e premtimit me të keqe dhe mohimit të së Vërtetës.”[6]

Nëse afërsia e engjëllit me njeriun forcohet, atëherë (ky njeri) flet me gjuhën e tij dhe frymëzohet me fjalën e drejtë, por nëse engjëlli largohet, afrohet Shejtani, i cili e frymëzon me dëshmi të rreme dhe banalitete, aq sa dallohet qartë se cili flet me gjuhën e një engjëlli dhe cili me gjuhën e Shejtanit.

Në një hadith thuhet: “Me të vërtetë, qetësia flet me gjuhën e Umerit.”[7]

Ndodhte që kur ndonjëri dëgjonte një fjalë të mirë nga një njeri i mirë, thoshte: “E ka frymëzuar ndonjë engjëll.” Kur dëgjonte të kundërtën e saj thoshte: “E ka frymëzuar Shejtani.” Engjëlli i tregon zemrës të vërtetën, ndërsa ajo ia përcjell gjuhës, kurse Shejtani i tregon zemrës të pavërtetën, dhe ajo ia përcjell përsëri gjuhës.

Pasoja të gjynaheve janë edhe se ato e largojnë njeriun nga ai që kujdeset për të, nga ai i cili është lumturia e tij kur qëndron pranë tij si fqinj dhe si mik. Ato i afrojnë armikun, i cili është shkaku i dëshpërimit, shkatërrimit dhe degjenerimit kur qëndron afër tij si mik.

Engjëlli e mbron njeriun, jep përgjigje në vend të tij nëse shahet nga ndonjë mendjelehtë, ashtu si “Dy burra u zunë para të Dërguarit të Allahut. Njëri shante tjetrin, ndërkohë që ky tjetri heshtte. Më pas, edhe ky tjetri foli një fjalë për t’ia kthyer shokut të tij. Kur i Dërguari i Allahut u ngrit, ai i tha: “O i Dërguari i Allahut, u ngrite kur unë iu përgjigja fjalëve të tij? Ai i tha: Ishte engjëlli ai që po të mbronte. Kur ti ia ktheve, erdhi Shejtani, e unë nuk ulem me Shejtanin.”[8]

Nëse njeriu bën lutje për vëllain e tij fshehtas, engjëlli lutet që ajo të pranohet, duke thënë: “Edhe ty si ai, gjithashtu!”[9]

Edhe kur mbaron këndimin e sures “Fatiha”, engjëlli lutet që ajo të pranohet.[10]

Nëse njeriu besimtar, njësues i Allahut dhe ndjekës i Sunetit të të Dërguarit të Allahut a.s, bën një gjynah, engjëjt-mbajtës të Arshit dhe ata që janë përreth Tij, kërkojnë falje për të.[11]

Nëse njeriu bie të flerë me abdes, mes rrobave të tij ngrys një ëngjëll[12] dhe sa herë që zgjohet natën kërkon falje për të. Pra, engjëlli i besimtarit përgjigjet në vend të tij, lufton dhe e mbron atë, e mëson, e mbështet fort dhe e inkurajon, kështu që nuk është e hijshme që njeriu ta prishë shoqërinë me të, ta mundojë së tepërmi, ta largojë ose ta përzërë, sepse ai është miku dhe fqinji i tij. Nëse bujaria me mikun prej njerëzve dhe mirësia me fqinjin janë domosdoshmëri të besimit, atëhere si i bëhet me miqtë më të nderuar dhe me fqinjët më të mirë?

Nëse njeriu i bën keq engjëllit me të gjitha llojet e gjynaheve, të padrejtësive dhe veprave të ulëta, engjëlli do ta lusë Zotin kundër këtij, duke thënë: “Allahu mos të shpërbleftë me të mira”,[13] ashtu siç lutet për të kur ai e respekon duke bërë adhurim dhe vepra të mira.

Disa sahabë kanë thënë: “Me të vërtetë, gjithmonë me vete keni dikë që nuk ju ndahet, kështu që kini turp prej tij dhe respektojeni atë.”

Ai që nuk ka turp nga dikush që është i vlerësuar dhe me autoritet të madh dhe ai që nuk e respekton dhe as nuk e nderon atë, nuk ka asnjë vlerë.

Allahut xh.sh. ka tërhequr vëmendjen rreth kësaj çështjeje duke thënë: “Me të vërtetë, për ju ka mbikqyrës që janë shkrues të nderuar. Ata e dinë se çfarë punoni”[14], pra, kini turp prej këtyre mbikëqyrësve të nderuar dhe nderojini, vlerësojini, që ata të mos shohin te ju vepra që, nëse dikush si puna juaj do t’i shihte, do t’i vinte turp. Engjëjt ndihen keq prej gjërave nga të cilat ndihen keq edhe bijtë e Ademit. Nëse biri i Ademit ndihet keq para atij që bën krime dhe gjynahe, edhe nëse ai vetë është prej atyre që e bën atë punë, si mund ndihen engjëjt, shkruesit e nderuar? Allahu na ndihmoftë.

[1] – Transmeton Et-Tirmidhiu (2039), Ebu Nuejmi tek “El-Hiljeh” (197/8), Ibn Habni tek “El-Mexhruhin” (137/2) dhe Ibn Adiji tek “El-Kamil” (1921/5), nga Ibn Umeri. Në zinxhirin transmetues ndodhet Abdu-Rrahim Bin Harun, që është i dobët, madje disa që mësojnë përmendësh, e kanë braktisur.

[2] – Fussilet 30, 31.

[3] – El-Enfal 12.

[4] – Është pjesë e një hadithi të saktë, i cili u përmend më parë.

[5] – (sh.p): Në termologjinë e shkencës së hadithit “Hadithi meukuf” njihet si çdo thënie apo vepër e cila i është detikuar një Sahabi dhe të cilat nuk kanë asnjë argument mbështetës se rrejdhin prej të dërguarit të Allahut a.s. Në vijim të ketij libri ky lloj i hadithit do të përmndet me këtë emër.

[6] – Transmeton Et-Tirmidhiu (2988), En-Nisai tek “Et-Tefsir” (71), Et-Taberi (59/3), Ibn Hibani (997), Ebu Ja’la (4999) dhe El-Bejhaki tek “Esh-Shuab” (4187). Në zinxhrin transmetues ndodhet Ata Bin Es-Saib, i cili është i përzier dhe ai që transmeton prej tij është Ebu Ahuad, i cili e ka transmetuar pas përzierjes. Këtë hadith e transmeton muekuf: Taberiu (60,59/3), Abdu-Rrezzaku (109/1) dhe Ibn Merdiuih- ashtu siç transmetohet te “Tefsiri i Ibn Kethirit” (322/1) nga rrugë (meukuf)-e (të dobëta), të cilat forcojnë njëra–tjetrën. Ky është ai, të cilin e ka preferuar Ebu Zur’a Er-Razi,-siç transmetohet tek “El-Ilel” dhe Ibn Ebu Hatim (244/2)me thënien (meukuf): “Është i saktë”.

[7] – Është hadith (mekuf), i transmetuar nga një numër sahabësh, me zinxhirë transmetuesish, një pjesë e të cilëve janë të sakta. Shiko: “El-Musned” (106/1) dhe “Meritat e Sahabëve” (310, 470, 522, 523, 601, 614, 634, 707, 711”, nga Ahmedi etj..

[8] – Hadithi është i saktë. Shiko referencat e tij te dorëshkrimi im “Dyzet hadithe rreth thirrjes dhe thirrësve”( 33), duke shtuar se “El-Axheluniju” e ka bërë të saktë te “Keshf El-Hafa” (88/1).

[9] – Siç transmetohet te Muslimi (2732) nga Ebu Derdai.

[10] – Siç transmetohet te “Sahihul Buhari” (780) dhe “Sahihul Muslim” (410).

[11] – Shiko: “El-Habaik Fi Ahbar El-Malaik” (f 49 dhe 154) e Sejutit.

[12] – Transmeton Ibn Hibani (1051), El-Beraz (288), Ibn Mubarek tek “Ez-Zuhd” (1244) e sjell nga Ebu Hurejre, nga Ibn Umeri.El-Hejthemi thotë tek “El-Mexhma’a” (226/1) se shpresoj të ketë zinxhir të mirë. Shiko: “Fet’hul Bari” (109/11).

[13] – Nuk kam hasur ndonjë hadith që tregon për këtë.

[14] – El-Infitar 10-12.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “SEMUNDJA DHE ILACI”

IBN KAJIM EL XHEUZIJE

Shkrime te reja nga Xhamiambret

Artikulli paraprakSi ta njohësh një njeri
Artikulli vijues6 arsye si të gjesh lumturinë