Si ma shkatërroi djalin 11 vjeçar pornografia në internet

Rrëfimi

Është e vështirë të jesh prind në çdo kohë, por veçanërisht në këtë kohën tonë, kur fëmija ndodhet në “sulmin” e shumë faktorëve, që nëse një prind nuk është i kujdesshëm mund ta shkatërrojë.

Një nga ndikimet që mund t’i kushtojë shtrenjtë një fëmije, për sa i takon formimit dhe ardhmërisë së tij, është interneti dhe më saktësisht pornografia që mund të konsumohet përmes internetit. Sipas statistikave në Perëndim, një numër shumë i madh fëmijësh kanë krijuar varësi ndaj pornografisë së internetit dhe kjo ka sjellë pasoja të dëmshme për ta. Më poshtë do të gjeni rrëfimin e një nëne për djalin e saj 11-vjeçar që pësoi një shndërrim katastrofik kur nisi në fshehtësi që të shihte video porno në laptopin e tij. Por më parë duhet thënë se pornografia e internetit është po aq adiktive sa edhe alkooli e droga dhe po aq shkatërruese. Ajo të skllavëron dhe të degradon.

Ja rrëfimi:

Çarli ishte 11 vjeç kur jo vetëm sjellja e tij, por i gjithë karakteri nisi që të pësonte ndryshime të mëdha. Ai kishte qenë gjithmonë një fëmijë i qeshur, miqësor, gjithë dritë dhe optimizëm. Një djalosh i këndshëm që admirohej nga të gjithë. Kishte dëshirë të luante futboll dhe nuk krijonte asnjëherë probleme me të tjerët, apo qoftë edhe me mësuesit. Befas gjithçka ndryshoi dhe kjo ndodhi në hapësirën kohore mes dy semestrave të vitit shkollor. Edhe po të ishte droguar ndryshimi nuk do të kishte qenë më i madh. Ai befas u bë i tërhequr, me humor të keq dhe i vrazhdë. Natën nuk flinte dhe pak nga pak e humbi edhe oreksin e madh që kishte pasur dikur për të ngrënë. Sytë i kishte të turbullt dhe pa shkëlqimin e dikurshëm dhe tashmë i ishte zhdukur edhe ajo energjia djaloshare që e kishte karakterizuar gjithmonë. Nëpër kapakët e librave dhe fletoreve nisi që të shkruante fjali të tilla si “Unë e urrej veten” apo “Çarli është trap” e madje nisi që t’i shkruajë gjëra të tilla edhe në muret e dhomës dhe nëpër rafte e dollapë.

Ai nisi edhe përdorimin e fjalëve shumë të pista. U tmerrova një ditë kur hyra në dhomën e tij dhe pashë gjithë ato fjalë të ndyra për veten ngado. Nuk munda t’i mbaja lotët dhe u dëshpërova si asnjëherë në jetën time. Isha në një gjendje të rëndë dhe të trishtueshme. Nuk arrija të kuptoja se nga kishte ardhur gjithë ky ndryshim te fëmija im. Cili ishte shkaku? Ku kisha gabuar me këtë fëmijë që vetëm pak kohë më parë kishte qenë një “engjëll”. Kaluan rreth 6 muaj dhe unë nuk munda të gjeja shpjegim për pyetjet e mia. Çarli ishte ende një djalë i vogël dhe mendoja se nuk ishte faji i hormoneve për këtë ndryshim në jetën e tij. Dhe mjekët më siguruan se ai nuk kishte asnjë lloj problemi fizik dhe se gëzonte shëndet të plotë. Ndoshta mendova se ishte problemi mes meje dhe bashkëshortit ndikimi për keq. Unë dhe ai po kalonim një periudhë të vështirë me njëri-tjetrin dhe ndoshta kjo kishte ndikuar në ndryshimin e djalit. Ne nuk bërtisnim e ulërinim, por ftohtësia e marrëdhënies sonë mund të ndikonte te Çarli. Apo ndoshta e kishte fajin shkolla e re, në të cilën kishte shkuar? Ai ishte në një shkollë të mirë, por nuk ka pyll pa derra, ndaj pata dyshim se në klasën e tij mund të kishte ndonjë influencë negative.

Dyshimi im ra mbi një djalë në klasën e Çarlit. Nuk mund ta provoja nëse ishte ai shkaktari, por dyshova se gjërat shkuan keq që nga momenti kur ata të dy u takuan. E dija se ky shoku i ri i klasës po e nxiste Çarlin që të luante lojëra të dhunshme në internet, të cilat i urrej shumë dhe ia kam ndaluar tim biri. Por kurrë nuk më kishte vajtur ndër mend se problemi nuk ishin lojërat e dhunshme, por pornografia.

Befas një natë m’u çelën sytë dhe e pashë të vërtetën tronditëse. Isha duke shkuar në dhomën time për të fjetur, kur pashë një dritë në dhomën e tim biri. Ishte ora 11 e natës dhe të nesërmen ai kishte shkollë, ndaj nuk e kuptoja se përse duhej që të ishte ende zgjuar dhe shkova për t’i thënë se duhet të flinte. Pashë tim bir të ulur mbi shtrat me laptopin e tij mbi gjunjë. Laptopin ia kishim blerë kur nisi shkollën e re për ta nxitur që të mësonte më mirë, por e pashë qartazi se ai nuk ishte duke bërë detyrat e shtëpisë. Kur më pa që hyra në dhomë ai e mbylli menjëherë kompjuterin. Mënyra se si e bëri një gjë të tillë la shumë për të dyshuar, sepse ishte e vrullshme dhe aspak normale. Ndërkaq në fytyrën e tij pashë ndjenja faji. Ia mora kompjuterin, i thashë një “natën e mirë” të thatë dhe mbylla dritën. Im shoq ishte gjatë gjithë kohës i zënë me punë dhe atë natë nuk ishte në shtëpi, ndaj shkova në shtrat vetëm, duke mbajtur ende kompjuterin në dorë e duke menduar që ndoshta do të ishte më mirë ta mbyllja. E dija që tim biri i pëlqenin lojërat dhe mendova që me siguri ishte dhënë pas tyre. Por kur hapa laptopin nuk pashë aspak lojëra, por pornografi, nga ajo më e rënda. Pashë se im bir po shihte një film me një çift që po kryenin marrëdhënie seksuale. Më pas kërkova historinë e internetit të tim biri dhe pashë se ai kishte pasur akses në sajte që shfaqnin të gjitha llojet e perversiteteve seksuale. Pra një djalë i vogël, pa kartë krediti, kishte pasur mundësi që të kishte akses në disa prej sajteve më perverse. Kjo do të thotë që sot çdo kush në internet mund të shohë ç’të dojë dhe nëse bëhet fjalë për një djalosh, ai mund të shkatërrohet nga një akses i tillë.

Personalisht, pavarësisht moshës që kam, nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë që mund të kishte skena të tilla seksi dhe sadizmi, që edhe një të rritur do ta rëndonin. Bëhej fjalë për një keqtrajtim seksual dhe një degradim të qenies njerëzore përtej të imagjinueshmes. Por momenti më i tmerrshëm ishte kur pashë skena pedofilie dhe të keqtrajtimit të fëmijëve. Dhe im bir prej kushedi sa kohësh po shihte gjëra të tilla, natë pas nate, javë pas jave. Tashmë e kuptoja se përse kishte ndryshuar në këtë pikë. Në ato çaste doja të vrapoja në dhomën e tij, ta përqafoja fort me sa fuqi kisha dhe t’i thosha se kisha ardhur për ta mbrojtur nga ajo botë e ndyrë në të cilën ishte futur. Por ai ishte në gjumë dhe veç kësaj nuk kisha asnjë lloj ideje se në ç’mënyrë duhet t’i thosha se e dija për një gjë të tillë dhe mbi të gjitha nuk e dija sesi mund të reagonte.

Më pas dënova veten dhe u ndjeva në faj që nuk e kisha zbuluar më parë një gjë të tillë. Po si mund ta kisha bërë një gjë të tillë? Unë mendoja se në një moshë të rritur ai do ta zbulonte dashurinë dhe marredheniet në mënyrë natyrale dhe normale. Por ai e kishte njohur botën e marrëdhënieve mes dy gjinive në mënyrën më të ndyrë të mundshme duke parë skena ku vetëm dashuri nuk kishte, skena të mbushura me zvetënim dhe urrejtje e degradim. Tashmë koncepti i tij për gratë mund të ndikojë nga këto pamje dhe ndoshta edhe e gjithë jeta e tij sentimentale. Më erdhi për të vjellë kur mendova se sa miliona fëmijë të tjerë do ta nisnin jetën me këtë ndjenjë përdorimi dhe përçmimi për gjininë femërore dhe se ata mund të donin t’i trajtonin gratë siç i trajtonin meshkujt femrat në pornografi.

Kur im shoq erdhi në shtëpi i tregova për situatën dhe të dy ia thamë djalit se ishim në dijeni. Fillimisht i thamë se sa e gabuar ishte ajo që po bënte dhe se ne gjithsesi e donim shumë. Më pas ia morëm internetin dhe mendoj se ai u ndie i lehtësuar nga ky veprim. Nuk na kërkoi kurrë që t’ia kthenim dhe na u duk se u rikthye sërish në strehëzën e fëmijërisë. Më pas me shumë kujdes nga ana jonë dhe me ndihmë të specializuar, ai nisi që të rikthehej në fëmijën që kishte qenë gjithmonë dhe ne ishim të lumtur që ai mundi të shpëtonte. Ndërk
aq kam një këshillë për prindërit, madje dy: kontrollojini vazhdimisht fëmijët tuaj dhe qëndrojuni pranë, sepse vetëm kështu do t’i shpëtoni dhe do t’u dhuroni një të ardhme të mirë./BS/kohaislame

Artikulli paraprakSekiraça strehohej në banesën e Zvonko Veselinoviqit
Artikulli vijuesGrykësi institucionale