Skamja ka trokitur kudo. Ajo ecën nëpër dyert e të pafuqishmëve. Lodron në ta. E, mbi të gjitha kur në një shtëpi orvaten për t’u ushqyer gjashtë individë. Ata janë pesë fëmijë. Një nënë e sëmurë kujdeset për ta. Por në shumicën e rasteve në sofrën e saj s’ka çfarë t’u shërbej.Quhet Merita Kelmendi, jeton në lagjen “Tuneli i Parë”, Mitrovicë. Ajo kishte vendosur që të hap një profil të saj në Facebook për t’ju kërkuar ndihmë qytetarëve, pasi jeton në kushte të mjerueshme me qira.
Merita qëndronte tek dera e hyrjes për të pritur njerëzit që i vinin për ndihmë. Në atë mëngjes ajo kishte pranuar disa pako ushqimore nga disa donator dhe gjashtë metra dru.
Ajo jetonte vetëm me 168 euro.
“Jam e sëmurë. Me një sy nuk shoh. Shpretkën e kam të hequr në vitin 2007. I rris pesë jetimë, tre janë fëmijë të mi me burrin që më ka vdekur dhe dy i kam të burrit të dytë, me të cilin jam ndarë”, tregoi Merita e cila vazhdonte të fliste për mjerimin që e ka përqafuar.
“Kushtet i kam shumë të vështira. Kush bën rahmet të më ndihmojë, Allahu ia shtoftë. Më mungon një shtëpi. Jetoj me qira”, tha ajo e cila pensionin që e merr nuk e sheh me sy, pasi duhet të paguaj qiranë dhe shpenzimet tjera.
Ajo për Telegrafin tha se fëmijët e saj vuajnë nga sëmundja nervore dhe bronkiti, të cilat erdhën si pasojë e kushteve në të cilat jetonin.
“Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse ta nxirrja veten në internet. Djali është i sëmurë. Pesë minuta e kapin të vetat në bazë të nervozes. Është 18 vjeçar. Kur e sheh veten në çfarë kushtesh po jeton donë ta mbys veten. Vajzën e kam me bronkit. Dje e çova në gjendje të rëndë në spital”, fliste me buzët që i dridheshin nga i ftohti.
Për t’u nxehur ajo ka thyer edhe dollapin e rrobave.
“E kam thyer dollapin e rrobave se s’kam pas dru. Duhej të nxeheshim. Banesa ka edhe lagështi. Vajzat shkojnë në shkollën e Mitrovicës, s’kam as para me çka t’i dërgoj”.
Por në atë çast erdhi dhe një bamirës tjetër i cili i solli jorganë dhe jastëk. Ishte Naim Jashari, një qytetar i qytetit të Mitrovicës.
Ai tha për Telegrafin, se në momentin që dëgjoi për këtë familje ai menjëherë erdhi për t’iu ndihmuar sadopak.
“Erdha për t’i sjell disa jorganë dhe jastëk. Kjo ndihmë është pak. Kjo nuk është ndihma e fundit për këtë familje. Për hir të Allahut do mundohem të jap ndihmën time”, tha ky qytetar, duke bërë apel tek të gjithë ata që munden për t’i ndihmuar këtë familje që t’ua sigurojnë një strehim: “ Të bëhemi bashkë të gjithë që ta ndihmojmë këtë familje”.
Të gjitha ata që mund ta ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në këtë numër të telefonit: 049/128-216. /Telegrafi/