Disa ditë më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se presidenca ka vendosur një logo për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Ditën e parë të këtij viti të ri, Dekadën e Republikës, po e nisim me logon zyrtare të dhjetëvjetorit të shtetësisë sonë. Shteti ynë, për të cilin dhamë shumë, po bën 10 vjet pavarësi. Ne po bëjmë 10 vjet përpjekje që Republika e Kosovës të zëri vendin e merituar në mesin e shteteve të lira të botës. Bashkë mund ta forcojmë edhe më shumë identitetin dhe subjektivitetin e shtetit tonë. #Kosova10”, kishte shkruar Hashim Thaçi në Facebook.
Kjo logo kishte marrë kritika të shumta në rrjetet sociale, për atë që përfaqëson apo edhe kualitetin e saj.
Këto reagime kanë bërë që presidenca të dalë me një sqarim për kuptimin e logos.
“Deri më tash publike është bërë logoja zyrtare e organizimeve institucionale që do të bëhen për këtë 10 vjetor të shtetësisë sonë. Logoja është derivat i simboleve zyrtare shtetërore, ngjyrave zyrtare, por natyrisht që e ka edhe simbolikën e vet. Pjesë përbërëse e logos është ngjyra e kaltër, ngjyra e artë dhe e bardha, të cilat janë edhe ngjyrat e flamurit tonë shtetëror. Forma e logos, me dy duar të hapura dhe dhjetë gishta, përveçse nënkupton ditëlindjen e dhjetë të shtetit tonë, nënkupton edhe 10 vjet kontribut në paqen rajonale dhe si formë i ngjan edhe fishekzjarreve të cilët janë sinonim i festave kudo në botë. Në formën e logos ka elemente edhe të hartës së Kosovës dhe formës së saj, por ideatorët e kanë përfshirë edhe formën e yllit polar. Gjashtë yjet që në flamurin tonë shtetëror simbolizojnë gjashtë grupimet etnike më të mëdha që jetojnë në Kosovë janë paraqitur si gjashtë rr eze ndriçuese për rreth logos, derisa dy vijat vertikale në mes të logos janë cepe të skajshme të hartës sonë”, ka sqaruar këshilltari politik i Thaçit, Adil Behramaj.
“Ne i falënderojmë të gjithë për vlerësimet e tyre, për komentet e tyre, si kritikët e logos, ashtu edhe ata që e kanë pëlqyer, të cilat natyrisht se kanë rëndësi për ne. Është e kuptueshme që secili mund të ketë shije të ndryshme artistike dhe preferenca të veta personale. Interpretimet janë të lira, nuk ka nevojë ta reduktojë askush imagjinatën vetëm në kuptimin që kanë dashur t’i japin krijuesit, sepse secili mund ta shoh logon edhe prej pikëpamjes së vet dhe mund të ketë edhe gjetje të tjera rreth saj”, ka thënë Behramaj, duke shtuar se megjithatë ky është versioni dhe kjo është simbolika zyrtare e logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë.
Mirëpo, si duket, kjo logo del të jetë krejtësisht e kopjuar nga një kompani gjermane.
Bëhet fjalë për kompaninë turistike gjermane “Schauinsland Reisen”, e themeluar në vitin 1918.
Ky zbulim është bërë nga një grup i dizajnerëve të Prishtinës në Facebook.
Ja krahasimi i dy logove: