Skenarët e Gruevskit me shqiptarët

NdodheniIndeksonline / Lajme
09:23 / E mërkurë, 29 Gusht 20120 Komente
Skenarët e Gruevskit me shqiptarët

Propozim-ligji për “branitellat” i iniciuar nga partia të cilën e drejton kryeministri Nikolla Gruevski është skenari i radhës i cili ka tensionuar situatën politike në Maqedoni.
VMRO-DPMNE dhe lideri i saj, Nikola Gruevski duke shfrytëzuar makinerinë e tyre analitike dhe propagandistike po vijojnë me strategjitë e tyre nëpërmjet institucioneve “speciale”, duke përdorur skenare të ndryshme, të lansuara në media, me qëllim të zvarritjes së obligimeve kryesore në rrafshin e integrimeve euroatlantike, Marrëveshjes së Ohrit dhe Çështjeve të tjera të pasuara nga kriza politike dhe ekonomike.
Propozim-ligji për “branitellat” i iniciuar nga partia të cilën e drejton kryeministri Nikolla Gruevski është skenari i radhës i cili ka tensionuar situatën politike në Maqedoni, raporton ina.
Ligji në fjalë ka lëkundur koalicionin qeveritar duke rrezikuar kështu edhe proceset euro-integruese të Maqedonisë.
Ky realitet pranohet edhe nga qarqe politike shqiptare, të cilët theksojnë se makineria e pushtetit aktual po përdor skemën e skenarëve të ndryshëm, të cilët aktivizohen dhe aktualizohen në çdo kohë, duke heshtur prioritetet dhe çështjet e ngecura shqiptare në Maqedoni.
Qëndrim i Bashkimit për Integrim Demokratik është se nëse nuk gjendet zgjidhje edhe për ish ushtarët e UÇK-së, do të shkohet drejtë zgjedhjeve të parakohshme.
BDI ngelet në pozicionin e saj që të gjendet zgjidhje për të dy palët e përfshira në konflikt ose ligji të tërhiqet, në të kundërtën vihet në pikëpyetje koalicioni.
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka deklaruar se është i gatshëm për të biseduar dhe mbështetur oponentin e tij politik shqiptar Ali Ahmeti, për të parandaluar miratimin e ligjit për përkujdesje speciale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë pjesëmarrës në konfliktin e 2001, duke përjashtuar zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Ndërkaq, subjekti politik i cili drejtohet nga, Rufi Osmani i ka cilësuar si artificiale tensionet e fundit në koalicionin VMRO-BDI që arritën kulminacionin me futjen në procedurë parlamentare të Ligjit për “Branitellat” e vitit 2001, për motive të marketingut politik.
“Arroganca politike e VMRO-së, mohimi dhe përbuzja e UÇK-së dhe mospërfillja e dëshmorëve shqiptarë të vitit 2001 nga kjo parti, përkundër tërheqjes politike të BDI-së nëpërmjet kërkim faljes të ministrit të Mbrojtjes verifikojnë edhe njëherë etnonacionalizimin e VMRO në raport me shqiptarët në Maqedoni”, janë shprehur nga RDK.
Analistët politik thonë se çdo politikë joracionale dhe me shumë skenarë, mund ta çojë në qorrsokak Maqedoninë.
Sipas tyre, buxhetet e vazhdueshme vjetore për fushatat e ndryshme qeveritare që kapin shifrat deri në 10 milion euro, vazhdojnë të rrisin mëdyshjet se këto para shkojnë pikërisht si një benefit për mediat, të cilat janë makineria kyçe për propagandimin e të gjitha projekteve qeveritare./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakPanxhari
Artikulli vijuesUragani "Isaac" godet Luizianën