S’pajtohen për Mbretin

0
185

Politikanët shqiptarë, andej dhe këndej kufirit, shfaqën opinione të ndryshme për rolin e Mbretit Leka Zogu I, gjatë ceremonisë së rivarrimit që u zhvillua të shtunën në Tiranë. Për monarkun nga Mati, Presidentja Jahjaga e Kryeministri Sali Berisha folën fjalë të mëdha, derisa socialistët e Edi Ramës e bojkotuan ceremoninë. Një ditë më parë, Kryeministri Thaçi tha se “shqiptarët s’ia kanë parë hajrin Zogut”
Rikthimi i eshtrave të Mbretit të Shqiptarëve, Leka Zogu I në Shqipëri, i ka ndarë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri se a duhet të nderohet apo injorohet njeriu i cili kishte udhëhequr shtetin për afro dy dekada.

Në Shqipëri, Qeveria e Sali Berishës ka organizuar një ceremoni të madhe për nder të kthimit të eshtrave të Zogut, ndërsa socialistët e kanë bojkotuar atë.

Edhe në Kosovë, zyrtarët janë ndarë në dy tabore, se a duhet të nderohet ose jo Ahmet Zogu, i cili akuzohet për lidhje me jugosllavët dhe largimin nga Shqipëria në prag të pushtimit italian më 1939.

Një ditë para ceremonisë së rivarrimit të Zogut, Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se Ahmet Zogut nuk ia kanë parë hajrin fort shqiptarët, sikurse nuk ia kanë parë as Pasicit, e Karagjorgjevicit.

“Këtu përmenden personalitete të ndryshme historike, prej Pasicit, Esat Pashës, Zogut, Karagjorgjevicit, Titos e hajt, hajt, hajt. Asnjëri prej këtyre, shqiptarët fort nuk ua kanë parë hajrin”, ka thënë Thaçi.

Por, krejt ndryshe nga Kryeministri, ka folur të shtunën Presidentja Atifete Jahjaga, e cila ka marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Zogut në Tiranë, shkruan Express.

Ajo ka thënë se Mbreti i Shqiptarëve ka merita të mëdha si për ndërtimin e Shqipërisë ligjore, ashtu edhe për kosovarët dhe kombet e tjera që ishin të rrezikuara në kohën e tij.

“Zogu dhe gjithë populli i pritën me zemër të hapur kosovarët e larguar me dhunë nga trojet e veta etnike që u vendosen përfundimisht në Shqipëri. Është tejet humane dhe përparimtare mbrojtja dhe pranimi i hebrenjve në Shqipëri, në kohën që ata përndiqeshin nga fashizmi dhe nacizmi”, ka thënë Jahjaga, në Tiranë.

Presidentja Jahjaga ka thënë se me kthimin e eshtrave në atdhe, është kryer edhe një obligim kombëtar.

“Ne sot jemi të lehtësuar që e kryem detyrën, sepse eshtrat e patriotëve nuk i tret dheu i huaj dhe “guri peshon me rëndë në vend të vet”, ka thënë ajo.

Para se të shkonte në Shqipëri, Jahjaga, për të nderuar eshtrat e Zogut, deputeti socialist, Taulant Balla i ka shkruar një letër Presidentes së Kosovës, ku i ka thënë se së pari duhet të marrë leje nga Hasan Prishtina, Bajram Curri e Avni Rrustemi.

Ai ka kërkuar nga Jahjaga të bëjë publik qëndrimin për këta tre patriotë shqiptarë, para se të marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Zogut.

Ndryshe prej socialistëve, zyrtarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë mendim tjetër për Mbretin.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka thënë se Zogu është figura më e rëndësishme në historinë njëqindvjeçare të shtetit.

“Shqipëria në kujtesën e saj shënon edhe një figurë të rëndësishme, atë të Ahmet Zogut. Sot nderojmë të parin dhe të vetmin mbret të shqiptarëve, Ahmet Zogun. Mbreti ynë shtetin e bëri vetë”, ka thënë Nishani.

Presidenti i gjashtë i Shqipërisë postkomuniste ka numëruar meritat e Zogut për shtetin.

“Ahmet Zogu ka lënë pas një diskutim të gjerë, por që padyshim mbetet figura më e rëndësishme e shqiptarëve, ai njeriu që për pak vjet nisi ta bënte Shqipërinë një shtet me të gjitha atributet e një shoqërie që përfaqësonte qytetërimin. Shtroi premisat për një shtet modern, i dha shtetit Kodin Penal dhe Civil”, ka shtuar ai.

Fjalë edhe më të mira për Ahmet Zogun ka thënë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ai e ka cilësuar Mbretin e shqiptarëve si njeriun që e ka jetësuar pavarësinë e Shqipërisë.

Edhe në këtë ceremoni, Berisha e ka politizuar rikthimin e eshtrave të Zogut, duke thënë se ata që nuk e nderojnë Mbretin, janë ende nën lëkurën e Enver Hoxhës.

“Kontributi dhe vepra madhore e Ahmet Zogut duhet t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha bindjeve, pavarësisht nga indoktrinimet, të vërtetat historike është më mirë t’i mësosh vonë se kurrë. Kush ka frikë nga eshtrat e monarkut, i them që ke mbetur nën lëkurën e Enverit”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/