Spanjë: Rrëzohet helikopteri qe transporte drogë, drejtohej nga një major shqiptar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pohuar sot gjatë seancës parlamentare se autoritetet shqiptare janë njoftuar për lajmin  se forcat spanjolle kanë rrëzuar një helikopter me drogë që vinte nga Maroku dhe drejtuesi i helikopterit është major i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i identifikuar me emrin Sokol Feka, raporton Anadolu Agency (AA).

 

“Ministria e Jashtme është njoftuar lidhur me një ngjarje të rëndë të ndodhur në Spanjë, ku strukturat e gardës civile spanjolle kanë rrëzuar një helikopter që transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës dhe piloti i helikopterit është një major i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh, ku gradën e majorit e ka marrë në vitin 2009 dhe është një ndër pilotët më të besuar të forcave tona të armatosura”- ka deklaruar Rama sot në Kuvendin e Shqipërisë.  

 

Ndërkohë lidhur me këtë lajm ka reaguar zyrtarisht edhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ku ka konfirmuar se është informuar në rrugë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë se një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Spanjë.

 

“Guardia Civil spanjolle njoftoi se është rrëzuar një helikopter, i dyshuar se po merrej me aktivitet të paligjshëm. Nga verifikimet paraprake, helikopteri udhëtonte nga Maroku në Spanjë. Si pasojë e rrëzimit të helikopterit piloti ka rezultuar i vdekur. Bazuar në dokumentet e gjetur mendohet se ky person të jetë shtetasi shqiptar Sokol Feka, major, me detyrë instruktor në Bazën Ajrore të Farkës”- thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Ministra Mbrojtjes ka sqaruar se është duke bërë verifikimet nëse dokumentet e gjetura përkojnë me shtetasin në fjalë.

Major Feka është pjesë e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh dhe mban gradën major që nga viti 2009. Me informacionin që Ministria e Mbrojtjes disponon, shtetasi Feka ka marrë lejen e zakonshme për periudhën 12 – 31 janar 2015, por nuk ka aplikuar për leje për të dalë jashtë vendit, duke shkelur rregullat e parashikuara në ligjin për Statusin e Ushtarakut në Republikën e Shqipërisë. Përmes një shkresë zyrtare, Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar verifikimin të lëvizjeve të shtetasit Feka, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit.

Artikulli paraprakMuslimani që shpëtoi pengjet në marketin hebre në Francë pritet si hero në Mali
Artikulli vijuesA u takon dhe sa u takon shqiptarëve Lindja e Mesme?!