Studentet e USHT ankohen për maltretim nga njësiti “Alfa”

Një grup studentesh shqiptare nga Shkupi kanë shprehur shqetësime lidhur me maltretimin e tyre nga njësiti policor “Alfa” në autostradën Shkup – Tetovë në afërsi të Sarajit. Studentet e Fakultetit të Artit Muzikor në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT) theksojnë se ngjarja tronditëse i ka ndodhur mbrëmë kur furgoni me të cilin po udhëtonin ishte ndaluar nga tre pjesëtarë policor “Alfa” në afërsi të Sarajit, pas kalimit të pikës së pagesës rrugore në Gllumovë.
Policët pasi që kanë mësuar se ato janë studente të muzikës, kanë kërkuar që tu këndonin ndonjë këngë. “Ata na ndaluan dhe në një moment ka dalë shoferi i furgonit, i cili mbahej në bisedë për disa minuta nga policët civil. Në një moment ne kemi dalë nga furgoni dhe kemi kërkuar se çfarë po ndodhë dhe pse kaq vonesa, sepse ishte ora 19.20 minuta dhe familja shqetësohej. Por, ata filluan të sillen në mënyrë tmerruese, derisa filluan të kërkojnë që ti këndonim ndonjë këngë, meqë jemi studente të muzikës. Ata kërkonin këngën ‘vajza maqedonase’ dhe tërë kohën talleshin dhe qesheshin. Na mbajtën për 40 minuta aty dhe mezi na lanë të lira. Ata kërkonin që ne të shkonim në këmbë në Shkup, ndërsa shoferi i furgonit të shkonte me ta”, ka rrëfyer për INA një nga studentet që ka përjetuar ngjarjen.

Studentet rrëfejnë se kanë qenë tre policë me një makinë të bardhë. Ato rrëfejnë se shoferit të furgonit i kërkonin një darkë në rast se ai do të shpëtonte për të mos i`a konfiskuar furgonin, për shkak të mungesës së lejes për transport udhëtarësh. “Ajo që ishte më skandaloze ata thoshin se në darkë mund të shkonin së bashku me studentet dhe jo vetëm me shoferin. Por më në fund pas gjitha peripecive na lanë të lirë që të udhëtojmë me furgonin deri në Shkup”, rrëfejnë vajzat e shqetësuara.

Denoncimi i këtij rasti është bërë nga prindërit e vajzave të cilat kanë apeluar që zyrtarët shqiptarë në institucione, sidomos në Parlament dhe MPB, të kërkojnë llogari lidhur me këtë sjellje të pjesëtarëve të policisë.

“Ne do të denoncojmë rastin, bile do të kontaktojmë me zyrtarët shqiptarë, por edhe ata në MPB, për t`ia tregu ngjarjen tmerruese. Nuk guxon askush që të keqpërdorë dinjitetin e një studente shqiptare, ka ikur ajo kohë. Andaj kërkojmë përgjegjësi për të ndriçuar ngjarjen dhe për të kërkuar llogari nga policët pjesëmarrës në këtë ngjarje”, theksoi njëri nga prindërit. /Telegrafi/

Artikulli paraprakSkenderaj: Arrestohet një person për ngacmim seksual
Artikulli vijuesShpërthim në Turqi, ndalet rrjedha e gazit natyror iranian