Takimi i fundit me Agim Ramadanin

Rrëfim i Xajë Çelës për takimin e fundit me heroin Agim Ramadani.

Atëherë si rrodhi ky aksion që atë kohë pati bërë bujë të madhe?

Xajë Çela: Kemi vazhduar sipas urdhrit, me fshehtësi jemi pozicionuar në afërsi të objektit. Plani ishte që fillimisht të ketë zjarr artilerik dhe me ndërprerjen e këtij zjarri artilerik prisnim momentin të bënim lokalizonim e objektit. Çdo grup të kishte të caktuara pikat mbështetëse të objektit, të bëj lokalizimin e forcave serbe. Kështu, më 9 prill 1999, Rrasa e Koshares si dhe pikat tjera u lokalizuan nga forcat tona. Ndërsa grupi jonë për shkak se nuk mund të bënte ecje paralele me grupin përkrahës që e kishim në krahun e djathtë nuk mundëm të futemi objekt. Në ndërkohë erdhi një urdhër që të tërhiqemi, por këtij urdhri nuk iu bindëm, ne grupi që përbënim grupin “Kobra”, të udhëhequr nga komandanti Naser Vllasi, si dhe grupi përkrahës në krahun e djathtë i udhëhequr nga Skënder Hasangjekaj. Por me 10 prill 1999, grupi jonë e dinim detyrën luftarake dhe vendosëm: Komandant Naser Vllasi, Arif Maloku, Demush Gacaferri, Arben Sejdiu dhe Beqa të veprojnë nga ana e majtë në koordinim me grupin tonë, me Fadil Malokun (Mortaja), Hysni Rama (Raketa), Qamil Jasiqin dhe unë nga ana e djathtë sipër objektit dhe për këtë e bëmë me dije Skënder Hasangjekaj, sepse e kishim përkrahës me ushtarët e tij në anën e djathtë. Këtë ua tregoi dhe ushtarëve të vet, që të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim. Në kohën e nisjes drejt objektit, caktuam Sefer Berishën të mbulonte me zjarr 12.7 pjesën e sipër të Karakollit me qëllim që ushtarët serbë të mos na shikonin nga sipër ecjen tonë drejt objektit. Ecja duhej bërë me kujdes sepse kishte mina, disa shiheshin të vendosura në kunja, dhe duhej c`dominuar, por kishte dhe të mbuluara me borë të cilave ua shihnim vetëm telat. Me këtë ecuri mua më ra pozita që të futem i pari, me kënaqësinë më të madhe të hyj në derën e oborrit të Koshares, i dyti ishte Naser Vllasi, i treti Arif Maloku. Pas mesditës së 10 prillit 1999, gjatë pastrimit të terrenit përreth objektit, u plagos ushtari Albert Kuçi. Naser Vllasi dhe unë kemi qëndruar gjatë gjithë natës poshtë objektit me qëllim të ruajtjes së një rruge kalimi nga mendonim se mund të tentojnë të hyjnë forcat serbe gjatë natës për të rimarrë objektin.

Në mëngjesin e 11 prillit 1999, rreth orës 09:00, u ndërruam nga dy ushtarë për të pushuar. Me të arritur në objekt, pyeta shokët e grupit se ku ishte komandant Agimi. Më treguan që ndodhej brenda në objekt. Hyra brenda për ta takuar. Ai ishte me Anton Qunin. I përshëndeta, më falënderoi personalisht mua si dhe grupin tonë “Kobra” për kryerjen me sukses të detyrës luftarake për marrjen e objektit. Agimi ishte duke vendosur gjoksoren me municion dhe disa bomba dore, dhe duke biseduar gjatë daljes në oborr së bashku ku prisnim ushtarët për nisje, ai tha: “Ne do të dalim në drejtim të Oplosit, ti Xajë a do të vish”? Unë i thash: Për këtë vendos ti komandant. “Mirë, meqë keni qenë tërë natën me Naserin në roje, hani mëngjesin dhe pushoni”. Bëri dy-tre hapa drejt meje, zgjati dorën dhe u përshëndetëm, më tha: “Shihemi”.

Dhe u patë prapë?

Xajë Çela: Fatkeqësisht jo. Ky ishte momenti i fundit i ndarjes me legjendën e luftës së Kosharës, komandant Agim Ramadanin…

A mundët së paku të hani mëngjesin dhe të pushoni?

Xajë Çela : Mund të them se nuk pushuam, sepse nga ana e livadheve drejt varrezave, forcat serbe sulmuan dhe ne shkuam për ndihmë në atë pjesë. Aty patën disa të vrarë. Po atë mbrëmje mora lajmin e hidhur për rënien e komandantit tonë Agim Ramadani “Katana”. Disa ditë më vonë, ishte datë 19 prill 1999, grupi jonë “Kobra” ishim të pozicionuar pas shpinës së forcave serbe në anën e Oplosit. Naser Vllasi na informoi se Sali Çekaj me ushtarët e tij në Rrasë të Kosharës ku po bëheshin luftime të rrepta, kërkonte ndihmë. Ne vazhduam që ti shkojmë në ndihmë, por me të arritur tek kundërajrori i serbëve në Rrasë, veç u errësua. Gjuajtjet e dy palëve u pakësuan dhe ashtu natën u vendosëm në pjesën ku na u kërkua ndihma. Të nesërmen me 20 prill 1999, grupi ynë, filluam të pozicionoheshim në formacion luftimi. Brenda një kohe shumë të shkurtër arritën forcat serbe në afërsi dhe kështu vazhduan luftimet në mes të dy palëve. Ndërkohë në pozitën time, më afrohet nga krahu i djathtë komandant Fadil Hadërgjonaj, dhe më tha: “Xajë, shkëputemi me pesë-gjashtë ushtarë nga ana e majtë, që t`ua marrim krahun e majtë forcave serbe, e në ndërkohë bëjmë tërheqjen e komandant Sali Çekaj që është vrarë mbrëmë, në kohën kur është kërkuar ndihmë nga pikat tjera”. Pra, nga Fadil Hadëgjonaj mora këtë lajm të hidhur për rënien e Kolosit të kombit, Sali Çekaj.

Fadil Hadërgjonaj, Arben Sejdiu, Demë Maloku dhe disa të tjerë u shkëputëm pak nga e majta e grupit, duke luftuar në distance të afërt me forcat serbe me qëllim marrjen e krahut të majtë të tyre dhe tërheqjen e kufomës së Sali Çekajt. Kishte granatime të shumta të minahedhësve. Unë plagosem rëndë nga një predhë e minahedhësve. Shokët me Fadilin më tërhoqën nga ajo pjesë në drejtim të përroit, ku më dhanë dhe ndihmën e parë dhe me barelë më transportuan për në Padesh, dhe për në spitalin e Bajram Currit. Pastaj më dërgojnë nga Bajram Curri në Tiranë, në Spitalin Ushtarak. Aty kam qëndruar për shërim afër dy muaj. Pasi plaga ishte e karakterit të rëndë, më transferuan për Itali, në Milano, për shërim dhe aty qëndrova deri në shtator të vitit 1999.

Kështu, Xajë Çela vetëm pasi plagoset rënd detyrohet t’i ndërpresë aksionet dhe t’i lë fushëbetejat për çlirimin e Kosovës. Pas shërimit ka vendosur me dëshirë të jetojë në Kosovë, afër bashkëluftëtarëve të vet të gjallë, afër dëshmorëve dhe të komandantëve të rënë heroikisht si Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, të cilët së bashku krijuan bazamentin për t’u shkruar historia e lavdishme e çlirimit të Kosovës. Një histori tjetër, me emra e mbiemra të çlirimtarëve, pa maska e nofka.

Ndoshta, Xaja ka edhe dëshirë të mos e lë vetëm atë pjesën e trupit që ia ka falur çlirimit të Kosovës dhe fëmijëve e gjeneratave që do të rriten, pa frikë, në liri. FUND – SHQIPTARI.EU

Artikulli paraprakEdhe ministër edhe i mban katër lëndë në fakultet
Artikulli vijuesLuleshtrydhet të forcojnë memorjen