Gjashtë persona janë raportuar të vdekur nga tërmeti prej 6.2 shkallë të Rihterit që ka goditur sot, në orët e hershme të mëngjesit qytetin italian Amatrice, raporton BBC.
Kryetari i kësaj komune, Sergio Pirozzi ka thënë se shumë njerëz të tjerë janë të bllokuar nën gërmadha.
“Rrugët janë të bllokuara. Gjysma e qytetit është zhdukur”, ka thënë kryetari i kësaj komune, Sergio Pirozzi.
“Ka njerëz që janë të bllokuar nën gërmadha… Ka pasur rrëshqitje të dheut dhe ura mund të rrëzohet”, ka shtuar tutje ai.
Agjencia për Mbrojtje Civile në Itali ka thënë se tërmeti ishte “i rëndë” dhe ka pasur raportime për dëme edhe në zonat malore. Në Facebook është shkruar se në malin Gran Sasso një pjesë e madhe e shkëmbit është shembur gjatë tërmetit.
“Kemi lajme për të lënduar dhe për kolapsime të ndërtesave”, ka thënë kreu i kësaj agjencie, Frabrizio Curcio.
Ky tërmet është ndjerë edhe në qytetin e Romës dhe epiqendra e tij ishte afër l’Aquila, ku një tërmet prej 5.9 shkallë të Rihterit vite më parë kishte lënë të vdekur 309 persona, transmeton Rel.
Curcio ka shtuar se tërmeti i fundit ishte i rëndë dhe për nga intensiteti mund të krahasohet me tërmetin që vite më parë goditi l’Aquila, por se tërmeti i sotëm mund të jetë më pak vdekjeprurës për shkak se ka goditur një zonë më pak të banuar.
Qytetet më të prekura nga ky tërmet janë Accumoli, Amatrice, Posta dheArquata del Tronto.