Nis beteja e madhe për Mosulin. Abadi: Ka mbërritur ora e fitores

Forcat irakiane kanë ndërmarrë operacionin më të rëndësishëm ushtarak në vend, atë për rimarrjen e kontrollit të Mosulit nga militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik. Bombardimet e artilerisë së rëndë nisën mëngjesin e kësaj të hëne, në atë që përbën sulmin e shumëpritur nga luftëtarët “peshmerga” kurdë, por edhe forcat irakiane dhe ato të aleatëve.

Tanke të shumta janë parë të marshojnë drejt qytetit, një prej bastioneve më të rëndësishme të Shtetit Islamik që prej vitit 2014. Kombet e Bashkuara shprehën “shqetësim ekstrem” në lidhje me sigurinë e rreth 1.5 milionë banorëve të bllokuar në këtë zonë.

E teksa operacioni nisi, një prej gjeneralëve kurdë tha se “edhe nëse vritem sot, do të vdes i lumtur sepse munda të bëj diçka për popullin tim”.

Koalicioni i udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara në luftën kundër ISIS po e mbështet operacionin me sulme ajrore, ndërkohë që shumë analistë e konsiderojnë këtë betejë si tepër komplekse dhe që mund të zgjasë për disa javë, për të mos thënë muaj të tërë.

Rimarrja e qytetit, qendra e rajonit verior të Nineveh, do të shënonte një humbje drastike për Shtetin Islamik në Irak. Ishte pikërisht Mosuli, qyteti nga ku kreu i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi deklaroi shpalljen e kalifatit islamik, një “shtet” i qeverisur nga ligji i rreptë islamik, por që i shtrinte kufijtë edhe përtej Irakut, deri në Siri.

Nisja e operacionit u njoftua nga kryeministri irakian, Haider al-Abadi, në një fjalim televiziv gjatë orëve të para të mëngjesit. “Momenti i fitores ka mbërritur”, deklaroi ai.

“Sot deklaroj nisjen e një operacioni heroik për të liruar qytetin tonë nga DAESH”, tha Abadi, duke iu referuar Shtetit Islamik me akronimin arab. “Me shpresën te Zoti, ne do të hyjmë në Mosul për të festuar çlirimin e tij dhe të popullit irakian të bllokuar në të, në mënyrë që të jetojmë sërish së bashku duke bashkuar të gjitha besimet. Vetëm së bashku do të mund të mposhtim DAESH-in dhe do ta rindërtojmë qytetin e dashur të Mosulit”.

I rrethuar nga zyrtarë të lartë irakianë, kryeministri u angazhua se në Mosul, një qytet me shumicë sunite, do të hyjnë vetëm forcat qeveritare. Kjo deklaratë, sipas analistëve është një përpjekje për të shuar frikën se operacioni do të mund të kthehej në një konflikt sektesh. Forcat proqeveritare pretendojnë ta rimarrin Mosulin nga një bazë ajrore strategjike në qytetin e Qayyarah, rreth 60 km në jug të Mosulit.

Artikulli paraprakJeta është si një treg i madh!
Artikulli vijuesGruevski paralajmëron ndihmë për BDI-në kundër platformës së Besës