Mbase Franca i “çmon fort” liritë njerëzore, por kur vjen puna te burkini, është e vendosur të mos hapë rrugë.
Incidenti më i fundit është ai i një muslimaneje nga Australia, që e veshur me burkini ka ndeshur në reagim të ashpër në një plazh të Francës, duke u shtrënguar të largohet.
Zeynab Alshelh, një studente 23-vjeçare për mjekësi, ka treguar në një kanal televiziv se kishte udhëtuar drejt Francës me familjen e saj për ta parë gjendjen nga afër e për të treguar solidaritet me muslimanet atje.
Ajo i ka thënë BBC-së në një prej programeve të saj se nuk mund ta kuptonte se si ishte e paligjshme të shkoje në plazh me burkini.
Ndërkohë që ndalimi i burkinit në qytete e qyteza të rivierës franceze ishte hedhur poshtë gjatë gushtit prej gjykatës administrative, Alshelh ka shkuar në plazhin Villeneuve-Loubet. Aty ajo është ndeshur me kundërshtinë e vendasve, që i kanë thënë asaj dhe familjarëve që e shoqëronin se duhej të largoheshin, e se në të kundërt do të thërrisnin policinë.
Në pamjet filmike të shfaqura në kanalin televiziv, është parë një burrë teksa kërcënon se do të thërrasë policinë nëse nuk largohen.
“U larguam sepse nuk donim të shkaktonim më probleme,” ka rrëfyer Zeynab Alshelh, që e ka pësuar prej bikinit të veshur prej saj e prej së ëmës.
“Ata (vendasit) nuk ishin të lumtur që ne gjendeshim atje, edhe pse ishte plazh ku ndalimi i burkinit qe anuluar,” vijon rrëfimi.
Studentja muslimane që mori rrugën nga Australia për të treguar solidaritetin me muslimanet në Francë i ka thënë kanalit Channel 7 se pretendimi që femrat të cilat i mbulojnë flokët apo fytyrat janë të shtypura është i rremë.
“E shoh qesharake këtë!”, është shprehur ajo.
“Eshtë simbol i besimit tim, është simbol i fesë sime, e të dalësh e të mbash hixhab ndihmon që njerëzit të përqendrohen në atë çka brenda njeriut, e jo në atë çfarë ka jashtë,” ka vënë në pah vajza muslimane që pati një eskperiencë të pakëndshme në plazhet franceze. /tesheshi.com/