Të rishikohen dhe të hetohen listat për kategoritë e dala nga lufta!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut theksoi se dhe më herët ka tërhequr vërejtjen se do të ketë problem gjatë përpilimit të listave dhe se mund të ketë reagime të atyre që padrejtësisht janë eliminuar nga lista e përfituesve.
Pas bërjes publike të listave të veteranëve, të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës të Zonave të Llapit, Karadakut dhe asaj të Nerodimes, shpërthyen pakënaqësi të mëdha të atyre që u është mohuar ky status në ndërkohë që u bënë publike keqpërdorime të shumta që janë bërë gjatë njohjes së këtij statusi personave të cilët me asgjë nuk kanë kontribuar për luftën e UÇK-së.
 
“Procesi i përzgjedhjes dhe verifikimit të këtyre listave ka qenë krejtësisht jo transparent, i pa monitoruar dhe i mbështetur në interesat partiake, politike, personale, familjare, klanore dhe biznesore. Në listë të përfituesve ka të tillë që nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me luftën, nuk kanë qenë pjesë e saj, as si luftëtarë e as si përkrahje logjistike e për më keq ka të tillë që e kanë përfituar statusin e invalidit të luftës pa qenë fare të plagosur apo të lënduar. Janë një numër i madh i përzgjedhur në baza familjare dhe farefisnore e që lehtësisht mund të verifikohen”, thuhet në komunikatë.
 
Sipas KMDLNJ-s, lënia në përgjegjësi dhe vullnet të komandantëve të zonave apo edhe komandantëve të tjerë rajonalë dhe lokalë e drejta për të “dëshmuar” statusin e veteranit, dëshmorit apo invalidit të luftës ka mundësuar shpërdorime të mëdha aq më parë që një numër i komandantëve, gjatë dhe sidomos pas përfundimit të luftës është kriminalizuar skajshmërish dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me një numër që pastaj kanë fituar statusin e veteranit, dëshmorit apo invalidit të luftës!
 
“Ky proces i verifikimit është dashur të monitorohet nga një ose më shumë burime të pavarura. Për KMDLNj-në është shumë brengosëse se si një numër i personave të pandërgjegjshëm duan të përfitojnë në kurriz të atyre që janë sakrifikuar dhe të cilët padrejtësisht kanë mbetur jashtë listave të përfituesve. KMDLNj ka vërejtje se nuk janë caktuar kriteret e qarta për përfituesit e këtyre kategorive, mbase me qëllim të krijohet hapësirë më e madhe për manipulime siç ndodhi me listat e fundit”, thuhet në komunikatë.
 
Nuk mundet që dikush që e ka përkrahur luftën materialisht apo në logjistikë të fitojë statusin e veteranit dhe të bëhet përfitues material. Atyre duhet t’u ndahen mirënjohje apo ndonjë formë e falënderimit jo material e kurrsesi t’u njihet statusi i veteranit.
 
Statusi i veteranit nuk blihet me para por fitohet me luftë, mund, sakrificë e këtë nuk e meritojnë të gjithë këta që janë në lista. 
Përveç rishikimit të listave të publikuara, KMDLNj kërkon hetime si dhe marrje në përgjegjësi ligjore të gjithë atyre që kontribuuan për gjendjen e krijuar që lehtë mund të eskalojë në zhvillime të paparashikuara e që nuk do të mund të mbahen nën kontroll.
 
“Për ata që kontribuuan që të krijohet kjo situatë, përgjegjësia morale përjashtohet shkaku se po të kishin përgjegjësi morale listat do të kishin tjetër përmbajtje. Përgjegjësia ligjore duhet të ndahet sikur për ata që kontribuuan për këto lista, ashtu edhe për ata që në mënyrë të pandershme (për qëllime të përfitimeve materiale dhe të tjera) me dëshmi të rrejshme e fituan statusin e veteranit, dëshmorit dhe invalidit të luftës!”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/
Artikulli paraprakVetëvendosje sot pritet të bëjë publike dokumentet për Gjykatën Speciale
Artikulli vijuesProkopis Pavlopulos, president i ri i Greqisë