Në konceptin nacionalist shqiptar marrëdhëniet shqiptaro-osmane deri në periudhën e Tanzimatit kanë qenë të mira, shqiptarët dhe osmanët kanë qenë aleatë me njëri-tjetrin etj.
Ky vlerësim bazohen në dy dimensione: së pari, në dimensionin etnik, në frenimin e presionit të fuqishëm asimilues etnik sllav e grek mbi shqiptarët dhe ortodoksizmin e dhunshëm të tyre; së dyti, në karakterin përgjithësisht më tolerant të Perandorisë Osmane.
Megjithatë, sistemi i mileteve, intensiteti më i dobët asimilues dhe përgjithësisht toleranca osmane, veçanërisht ndaj Kishës Ortodokse, kishin edhe një anë tjetër: mundësinë e rivalitetit ndërmjet popujve të nënshtruar, rrjedhimisht vazhdimin e presionit asimilues sllavizues e greqizues ndaj shqiptarëve edhe gjatë sundimit osman. Një pjesë e madhe e territoreve shqiptare (rrethinat e Nishit, territoret e Ulqinit, Tivarit, Plavës, Janinës, Artës etj.), janë sllavizuar e greqizuar pikërisht gjatë sundimit osman, ndërkohë që edhe pas gati pesë shekujsh të këtij sundimi nuk është osmanizuar apo turqizuar asnjë fshat shqiptar.
Mirëpo, me gjithë karakterin tolerant të sistemit osman, për sllavët, grekët dhe bizantinët, dalja e saj në Ballkan, rrënimi i mbretërive sllave të Rashës dhe Bullgarisë, tërheqja nga territoret e pushtuara shqiptare, frenimi i presionit asimilues dhe ortodoksizues ndaj të tjerëve, tek këta popuj u përjetua si humbje e madhe. Po ashtu, rrënimi i Perandorisë Bizantine në të cilën grekët gëzonin privilegje të mëdha dhe paraardhës te së cilës e konsideronin vetën, u përjetua nga grekët si humbja më e madhe në historinë e tyre. Për këto arsye te sllavët dhe grekët u krijua një ndjenjë e fuqishme antiosmane, e cila më vonë do t’i bëjë ata ta konsiderojnë Perandorinë Osmane armikun e tyre më të rrezikshëm dhe po ashtu vetë të bëhen armiqtë e saj të vendosur. Ndërkaq, të njëjtat dukuri, dalja e Perandorisë Osmane në Ballkan, sistemi i saj me tolerant, rrënimi i mbretërive sllave dhe tërheqja e tyre nga territoret e pushtuara shqiptare, shkatërrimi i Perandorisë Bizantine dhe frenimi i presionit asimilues sllavo-greko-ortodokso-bizantin të filluar shekuj më parë dhe që kishte arritur kulmin në atë periudhë, nga shqiptarët u përjetua në dy mënyra të ndryshme që çuan në ndarjen e shqiptarëve politikisht në dy kampe të mëdha: njëri, që konsideronte Perandorinë Osmane si rrezikun dhe armikun e vet kryesor dhe që u bashkua me sllavët, grekët, princat e ndryshëm europianë (austriakë, hungarezë, francezë, rusë, Papatin etj.) në luftë kundër saj dhe prej të cilit më vonë u krijuan rrymat e ndryshme politike shqiptare grekomanë e sllavofile dhe, tjetri, i cili, duke konsideruar sundimtarin osman si më pak të rrezikshëm, më tolerant, më pak të mundshëm për asimilim etnik etj., u bashkua me të në luftë kundër rrezikut sllavizues dhe greqizues që vazhdonte (korsivet nga red.) dhe prej të cilit më vonë u krijua rryma politike shqiptare e nacionalizmit.
Një nga themeluesit e nacionalizmit dhe themeluesit kryesorë të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, Pashko Vasa (i besimit katolik), në esenë e tij “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët”, për gjendjen e shqiptarëve nën Perandorinë Osmane deri në reformat (centralizuese) e Tanzimatit, përshkruan pikërisht elementët e saj tolerante si, sistemi i mileteve, tolerancën fetare, respektimin e të drejtës zakonore si bazë juridike e qeverisjes së popullsisë vendëse (shqiptare), të drejtën e trashëgimisë, përbërjen shqiptare të administratës etj.
Sipas Pashko Vasës, “deri më 1831 Shqipëria qeverisej nga krerët e saj të vendit” (fq. 118). Në kapitullin X, ai përshkruan me hollësi të drejtën zakonore shqiptare dhe faktin se Shqipëria qeverisej në bazë të saj. Po ashtu, megjithëse Perandoria Osmane nuk e njihte formalisht të drejtën e trashëgimisë së titujve të fisnikërisë, praktikisht Sulltani u kishte njohur fisnikëve shqiptarë trashëgiminë e titullit dhe sundimit.
Sipas Vasës, “çdo qytet, me një farë madhësisë, kishte pashanë dhe beun e vet, i cili e trashëgonte pushtetin nga prindërit e tij. Porta e Lartë e pranonte këtë zakon dhe e vërtetonte duke përsëritur emërimin në favor të trashëgimtarit” (fq. 118). Sipas tij, edhe nga pikëpamja ekonomike në periudhën e sundimit osman Shqipëria kishte ecur përpara: “deri në epokën e sipërshënuar (Tanzimatit – H.F), gjendja në Shqipëri ishte e shkëlqyer, vendi ishte i pasur, i lumtur e i fuqishëm” (fq. 119). Sipas Pashko Vasës, sunduesit osmanë nuk përbënin rrezik për asimilimin etnik e kombëtar të shqiptarëve: “përkundrazi, atyre u është mbushur mendja se bashkimi i tyre i ngushtë me Perandorinë Osmane përbën të vetmin shans për shpëtim…, sepse ai nuk u cenon as idenë kombëtare, as gjuhën, as traditat; ai nuk e ndryshon karakterin e popullit dhe nuk kërcënon ekzistencën e këtij nga pikëpamja e fisit dhe kombësisë” (fq. 124).
Pastaj, edhe më hapur dhe vendoshmërisht, Pashko Vasa shpjegon se në krahasim me rrezikun sllavo-grek, “pikërisht kjo ide (që osmanët nuk kërcënonin ekzistencën e kombit shqiptar ndërsa fqinjët po – H.R.), kjo frymë të menduari, po të flasim nga ana politike, janë ato gjera që e kanë lidhur në mënyrë të pazgjidhshme fisin shqiptar me fatin e Perandorisë” (fq. 124) dhe se shqiptarët “janë të bindur se, duke rënë në dorë të çfarëdo fuqie tjetër, nuk do të vononin të humbisnin të gjitha këto avantazhe dhe më në fund do të transformoheshin” (fq. 123).
Kështu, sipas tij, lidhjet e shqiptarëve me osmanët kishin filluar para daljes së Perandorisë Osmane në Ballkan dhe se, pas ardhjes së tyre “Tyrqitë gjetnë në Shqiptarëtë një shok të luftësë të fortë e të besësë, edhe Shqiptarëtë gjetnë në Tyrqit një zot, q’u hapte përpara një shesh të gjër’ e të çpenguarë për të gjith’ ato q’u donte zemra” (fq. 34).Edhe Sami Frashëri, i cili […] në një farë mënyrë përmblodhi përfundimet e të gjithë përvojës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, rreth njëzet vite më vonë se Pashko Vasa, mbron të njëjtat ide dhe përshkruan të njëjtën situatë. Edhe ai thotë se pashallarë dhe njerëz të mëdhenj shqiptarë (fq. 33) dhe se, “Shqiptarëtë kishin zënë të marrënë besën’e Tyrqet e të bëhenë myslimanë që pa rënë Shqipëria në duar të Tyrqet” (fq. 34).
Sipas tij, edhe nga pikëpamja ekonomike “Shqipëria në kohët e Tyrqet u bë m’e pasurë e m’e begatë se kurdo”. Po ashtu, duke vlerësuar lart qenien e administratës shqiptare nën sistemin turk dhe respektimin e të drejtës zakonore shqiptare, Sami Frashëri thotë se “gjith’ ata që qeverisnin Shqipërinë, të vegjël’ e të mbëdhenjë, ishin të gjithë e gjithnjë Shqipëtarë” aq sa “mundim të themi se Shqipëria qeverisësh më vetëhe prej Shqipëtarësh e me zakonet e saj” etj. (fq. 34-34).
Ideja sipas të cilës në krahasim me fqinjët sllavo-grekë, Perandoria Osmane jo vetëm paraqet rrezik më të vogël për identitetin etnik e kombëtar të shqiptarëve dhe se madje është njëfarë aleati për ruajtjen e tij dhe se bashkimi i shqiptarëve me të është bërë pikërisht nga motivi etnik-kombëtar shqiptar, ka qenë ide e përgjithshme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vijë politike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe përgjithësisht nacionalizmit shqiptar, provohet edhe nga një bazë e gjerë dokumentare e burimeve të ndryshme arkivore, publicistike etj. Në një Memorandum drejtuar kryeministrit anglez, Lordit Bikonsfild, në emër të popullit shqiptar, thuhet shprehimisht se frika nga rreziku sllav “i frenoi fiset shqiptare, që prisnin me padurim të shpëtonin nga zgjedha osmane, dhe nuk i la të lidhnin aleancë me Malin e Zi, të cilin e shikonin, dhe ende e shikojnë si pararojë e ushtrive ruse” dhe se “qe kjo ndjenjë, qe frika se mos humbisnim kombësinë tonë që na ka shtyrë të qëndrojmë pa lëvizur, por jo indiferentë kundrejt shkatërrimit të Perandorisë Osmane, sepse përndryshe ne do të kishim shpejtuar këtë shkatërrim duke bashkuar armët tona me ato të popujve të tjerë kryengritës. Dhe është mirë që Europa ta dijë se pikërisht ky është flijimi më i dhembshur që mund të kenë bërë ndonjëherë për atdheun e vet fiset tona luftarake”, se shqiptarët nuk donin që “pushtimi rus t’i zënë vendin pushtimit osman” (fq. 23).
Po ashtu, në memorandume të tjera shprehet edhe për rrezikun grek, i cili konsiderohet “komb armik”, i cili “që prej ditës së shpalljes së pavarësisë së tij, ia ka kushtuar të gjitha përpjekjet e tij përgatitjes së mjeteve për të pushtuar Epirin dhe për të greqizuar popullin shqiptar” (fq. 83).
Fakti se Lidhja Shqiptare e Prizrenit nga fundi i veprimtarisë së vet, me gjasë nën shtytjen e krahut serbofil e grekoman të infiltruar në të, u fut në luftë të armatosur kundër Perandorisë Osmane pati si rrjedhojë vetëm shkatërrimin e Lidhjes, por jo edhe të bindjes së përgjithshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e të Rilindjes Kombëtare, se rreziku dhe armiku kryesor nuk ishte sunduesi osman-turk, por rreziku i fqinjëve sllavo-grekë. Kjo vërtetohet nga dokumentet e shumta që tregojnë programet dhe idetë e mëvonshme politike, ngjarje si Lidhja e Pejës dhe, në fund nga udhëheqësi i përgjithshëm i Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare antiosmane të vitit 1912, Hasan Prishtina, i cili ishte i autorizuar të flasë dhe të veprojë në emër të të gjitha trojeve etnike shqiptare dhe i cili edhe në vitin 1912 mbronte idenë se rreziku kryesor nuk janë osmanët, por fqinjët. Edhe Ismail Qemali, njeriu që shpalli pavaresinë e Shqipërisë nga Turqia, nuk e konsideronte atë rrezikun kryesor për Shqipërinë dhe, përballë rrezikut të fqinjëve nuk ishte për luftë të armatosur kundër Turqisë.
Ideja se Turqia është aleat i shqiptarëve ruhet dhe, edhe sot është pjesë përbërëse e mendimit nacionalist shqiptar, është e pasqyruar në programe të partive politike të orientimit nacionalist si dhe në shumë dokumente e forma të tjera.
Fragment i shkëputur nga libri “Skicë e mendimit politik shqiptar”, i autorit Hysamedin Feraj. (Fq. 158-165).
Përgatiti për publikim E.N.