H. Omari
Që në fillim duhet nënvizuar se ky artikull shtresëzohet në listën e gjatë të teksteve shkollore me potencial të lartë indoktrinues në të cilët është zgjedhur të diskriminohet në radhë të parë dituria, pastaj kontrata sociale dhe kohezioni qytetar i një vendi si Shqipëria, të arnuar me 1001 vështirësi. Teksti në fjalë, që shkrin njohuri gjeografike, historike, letrare e kulturore në përgjithësi, i kushtohet Shkodrës dhe konsumohet nga fëmijët e klasave të V nën administrimin e drejtorisë arsimore të këtij qyteti. Ai mban për autor zonjat Eranda Bilali e Alida Luka dhe është prodhim i shtëpisë botuese Erik, që prej 2008.
Teksti çalon sapo shpaloset arsenali i njohurive analafabetike të historisë, më konkretisht aty ku fëmijëve u mësohet se “në konfliktin e Skënderbeut me Republikën e Venedikut, shkodranët u shpërngulën në Krujë, ku jetojnë edhe sot”. Jo disa shkodranë, por shkodranët, që ndërkohë luftonin kundër Skënderbeut, paskan shkuar në Krujë, dhe atje i paskan shpëtuar shpopullimit tërësor osman pas rënies së atij qyteti, siç na mëson historiografia zyrtare shqiptare.
Çështja komplikohet kur duhet shqyrtuar kalimthi vitet e Luftës së Dytë botërore. Vendoset të mbahet një qëndrim i prerë: “gjatë kësaj lufte Shkodra u radhit në bllokun e bashkimit antifashist ashtu si e gjithë Shqipëria”. Shkodra (ashtu si Shqipëria) ka një rezistencë të konfirmuar antifashiste siç ka edhe një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në administrimin e pushtimit fashist e më pas nazist të figurave të spikatura të qytetit në fushat e politikës, kulturës e fesë, për të cilët teksti ka zgjedhur të mbajë heshtje të plotë, siç ka edhe një marrëdhënie të privilegjuar e të afërt të Kishës katolike me shtetin fashist, pas Konkordatit (1929), me plot shembuj edhe në Shkodër.
Lidhur me figurat kryesore të qytetit teksti kalon nga manipulimi, diku i qëllimshëm e diku rrjedhim i mosnjohjes, në diskriminim. Figurat janë: Marin Barleti, Marin Beçikemi, Oso Kuka, Vaso Pasha, Pjetër Marubi, Filip Shiroka, Kolë Idormeno, Palokë Kurti, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Migjeni, Vojo Kushi, Jordan Misja, Vasil Shanto, Prenk Jakova, Branko Kadia, Marie Logoreci, Lazer Filipi, Ndrek Shkjezi, Loro Boriçi, Lec Bushati, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Gjon Simoni, Tinka Kurti, Bep Shiroka, Serafin Fanko, Tano Banushi, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja, Zef Çoba. Plot 32 figura të mirënjohura e me kontribute.
Bien në sy 4 heronj të Luftës së Dytë botërore (mes tjerash, me origjina të diskutueshme shqiptare), teksa nuk ka asnjë hero të rezistencave të tjera të qytetit, ku emblematike janë ato ndaj serbo-malazezëve dhe regjimit komunist. E të mendohet se libri është botim i 2008 dhe njëra prej autoreve është bashkëshortja e dy herë kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, i zgjedhur nga PD-ja. Ndërsa Marin Beçikemi është ngritur në rangun e luftëtarit “heroik” kundër osmanëve, i cili, i kujtojmë lexuesit, në 1479 ishte 11 vjeç, një vit më i vogël se Zuk Bajraktari i Eposit të Kreshnikëve që bënte kërdinë nëpër këngët e rapsodëve.
Por ajo çka bie më shumë në sy është reduktimi i kontributit të bashkësisë myslimane tekOso Kuka, të cilit, për ironi, nuk i është dhënë asnjë skicë portreti (i vetmi), ndryshe nga të tjerët, si për të konfirmuar se është personazh gojëdhënash të pavdekësuara nga fantazia e Gjergj Fishtës. Praktikisht, nxënësve të Shkodrës, përfshi ata të medresesë, u mësohet se e vetmja gjurmë që meriton të kujtohet nga bashkësia myslimane e qytetit është një gjysmëlegjendë. Dhe që spastrimi nga memoria kolektive në këtë tekst shkollor është i organizuar e dëshmon emërtimi i rrënojës së kishë-xhamisë së Kalasë së Rozafës (e shndërruar kështu nga një vkm i kohës Meksi) si “rrënoja të një kishe”.
Nga një këndvështrim më i gjerë libri përmbledh dy faza të procesit të raportimit me myslimanët në Shqipëri, që i etiketuar si islamofobi thjesht e teorizon përveçse ia zbut karakterin agresiv. Së pari, spastrimi nga memoria, i dallueshëm në fillimet e shek. XX dhe i brendësuar nga politikat shtetërore gjatë periudhës së Zogut, pushtimit italian dhe sidomos enverizmit. Pasi myslimanët janë përjashtuar nga e kaluara vjen përjashtimi nga objektet e së kaluarës, nëpërmjet ndryshimit të funksionit dhe përkatësisë. Teksti e bën butësisht, duke e kthyer xhaminë në kishë, sepse kaq mund të bëjë. Megjithatë ka raste, si ai Kalasë së Lezhës, ku bëhen thirrje për dhunë, në pamje të parë drejtuar monumenteve të kulturës, por prapavija është qartësisht konfliktuale fetare.
Së dyti, demarkacioni me karakter fetar i territorit, pra përvetësimi territorial dhe ndarja fizike, i shfaqur me ngritjen e kryqeve, deri edhe në raste haptazi agresive, siç është Borshi, ku zaptimi i territorit nga një komunitet që rreth gjoksin për mbrojtjen e katolicizmit është pasuar nga vendosja e një urdhri murgeshash dhe së fundmi nga një kryq në breg të detit. Teksti shkollor e shpreh këtë fazë duke zgjedhur për foto kopertine këndin e një sheshi shkodran ku panorama e ekspozuar veçon kryqin e një kambanoreje, megjithëse amfiteatri urban i fiksuar në atë foto është ilustrim i denjë i degradimit urbanistik. Fotoja ka fiksuar deri edhe antenat e godinës së Telekomit bashkë me një pallat të shëmtuar, që për t’i shmangur do të duhej të ishte zhvendosur fokusi më majtas, por atëherë do të kishte pozuar edhe xhamia.
Duke konsideruar përmbajtjen dhe sidomos grupmoshën të cilës i drejtohet kjo paketë diskriminuese, i tërë zinxhiri i hartimit, botimit dhe miratimit të këtij libri meriton përballje me gjykatat. Me siguri libri nuk përfaqëson vendlindjen e lexuesve të tij ose, me sakte, prezanton vendlindjen e vjedhur.