Tentativa për grusht shteti në Turqi në ekspozitën fotografike në Shkup

Prej sonte deri më 29 gusht të këtij viti në objektin Çifte Hamam të Çarshisë së Vjetër të Shkupit do të jetë e hapur “ekspozita fotografike kushtuar fitores së demokracisë” në Turqi pas tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO, raporton AA.

Në ekspozitën e cila organizohet nën udhëheqjen e Ambasadës së Turqisë në Shkup, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Turke “Yunus Emre” dhe agjencinë informative shtetërore turke “Anadolu Agency (AA)”, do të shfaqen 52 fotografi të realizuara nga fotoreporterë të AA-së dhe gjithashtu një video e AA-së, në të cilat paraqiten pamjet e dhunës gjatë tentativës dhe dështimi i kësaj tentative për grusht shteti nga FETO nëpërmjet një pakice brenda ushtrisë.

I angazhuar për kryerjen e detyrës drejtor në institutin “Yunus Emre”, Fuat Korkmaz, theksoi se nëpërmjet kësaj ekspozite, si dhe aktiviteteve të tjera që do t’i organizojë në të ardhmen, në çdo platformë do të nënvizojë tentativën qyqare për grusht shteti të 15 korrikut dhe vullnetin e palëkundshëm të popullit turk.

“Tentativa për grusht shteti e cila synoi të pengojë marshin e shenjtë të vendit drejt një të ardhme më të mirë u pamundësua nga populli turk, i cili me zemrat guximtare plot me besim heroikisht doli para tankeve dhe helikopterëve të puçistëve. Populli turk edhe njëherë dëshmoi që me aq shumë këmbëngulje dhe trimëri di të mbrojë pavarësinë dhe ardhmërinë e vendit”, deklaroi Korkmaz.

Editor i gjuhës shqipe dhe maqedonase në AA, Adnan Idriz, në fjalën e tij përshëndetëse deklaroi se organizata terroriste FETO me këtë tentativë për grusht shteti nuk ka kryer sulm tradhtar vetëm ndaj Turqisë dhe popullit turk, por ka goditur thellë edhe turqit e Rumelisë që nuk janë shtetas të Turqisë, si dhe pjesëtar të shumë kombeve të tjera që e duan Turqinë.

“Organizata terroriste FETO nuk është armike vetëm e Turqisë, por e gjithë turqve në botë dhe atyre që e duan Turqinë. Derisa populli turk zhvillonte luftë kombëtare, populli i këtushëm atë natë me lot në sy duke u lutur për Turqinë shprehej se ai që prek Turqinë na ka prekur edhe neve”, u shpreh Idriz.

Idriz falënderoi dashamirësit e Turqisë me përkatësi të ndryshme etnike që jetojnë në Maqedoni, të cilët siç tha ai “ishin të zemëruar me pjesëtarët e FETO-s duke i dënuar ata ashpër dhe të cilët thirrën qendrën rajonale të AA-së në Shkup për të shprehur shqetësimin dhe gatishmërinë e tyre për ndihmë ndaj Turqisë dhe popullit turk me fjalët si ‘Jam i brengosur për Turqinë. Çfarë mund të bëj për të dhe popullin e saj’”.

Në praninë e zv.ambasadorit të Turqisë në Shkup, Sinan Ertay, përfaqësuesve dhe udhëheqësve të institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare, si dhe një numri të madh të qytetarëve të interesuar, u lexua edhe mesazhi i ambasadorit turk në Shkup, Ömür Sholendil, ku theksohej uniteti i zyrtarëve turk, përfaqësuesve politik dhe popullit turk, në kundërshtim me tentativën për grusht shtetit nga ana e organizatës terroriste FETO.

Ekspozita e titulluar “Triumf i demokracisë” është organizuar me synim që përmes fotografive t’i tregohet publikut të gjerë hap pas hapi çfarë ndodhi në natën e 15 korrikut në tentativën për grusht shteti. Për në muajin shtator ekspozitë e këtillë pritet të organizohet edhe në Prishtinë dhe qytete tjera të rajonit.

Artikulli paraprakBiden në Ankara: Nuk kemi për qëllim të mbrojmë një person që dëmton aleatin tonë
Artikulli vijuesXhamia 640-vjeçare u harrua nga institucionet, shndërrohet në vatër të prostitucionit e drogës