Ndotja e ajrit në Tetovë ka arritur në nivele alarmante. Instituti ndërkombëtar Numbeo e rendit Tetovën si vendbanimin më të ndotur në botë.
Sipas të dhënave të fundit, prezenca e grimcave të dëmshme toksike PM10 në ajër shkon deri në 17 herë mbi masën e lejuar. Ndotësi më i madh llogaritet të jetë kombinati metalurgjik “Jugohrom” që ndodhet në hyrje të qytetit.
Ministri i Mjedisit në Maqedoni, Nurhan Izeiri është treguar i pafuqishëm për të zgjidhur problemin e qytetit ku jeton vetë, pasi qeveria e Shkupit nuk ka përfillur rekomandimin e tij për mbylljen fabrikës “Jugohrom” deri në përmbushjen e standardeve ekologjike.
I përballur me këtë situatë, ai së fundmi ka deklaruar se për zgjidhjen e problemit me ndotjen nevojitet kontributi i shumë faktorëve në shoqëri.
“Presim që të kemi një bashkëpunim të sinqertë dhe të mirëfilltë ndërmjet të gjitha palëve, duke përfshirë këtu mediat, organizatat joqeveritare, qeverinë. Të gjithë të jemi pjesë përbërëse e kësaj problematike, që sa më shumë ta sqarojmë aq më tepër do të kontribuojmë në reduktimin e emetimit të gazrave në ajër”, ka deklaruar Izeiri.
Problemi me ndotjen e lartë të ajrit në Tetovë është ngritur sërish ditëve të fundit në Kuvendin e Maqedonisë nga deputetët shqiptarë. Ata nuk kanë kurrsyer kritikat për ministrin Izeiri, që është nga radhët e BDI-së, të cilin e kanë akuzuar se po lejon të helmohen shqiptarët e Tetovës.
“Të nderuar qytetarë, të nderuar shqiptarë, të nderuar tetovarë. Tetova për nga ndotja është në vendin e parë në renditjen botërore. Nurhan Izeiri, duhet sa më parë ta mbyllësh “Jugohrom””, deklaroi deputeti i PDSH Bekim Fazliu.
“Përse nuk mbyllet “Jugohrom”, në një situatë kur ministri i Ambientit ka rekomanduar dhe ka udhëzuar qeverinë që ta mbyllë atë, duke qenë së prej një viti është shndërruar në ndotësin kryesor”, tha deputetja tjetër Ermira Mehmeti.
Qytetarët dhe sektori civil kanë paralajmëruar sërish protesta në rrugë në mbrojtje të ambientit pasi qeveria deri tani ka injoruar thirrjet e tyre për zgjidhjen e problemit serioz që shkakton ndotja e lartë e ajrit në Tetovë.