Analisti Jusuf Thaçi ka shprehur bindjen se ato që i tha sot ambasadori amerikan Greg Delawie nuk i përkasin gjuhës së diplomacisë amerikane.
“Po të kishte president ky vend, brenda 24 orëve do të kërkonte nga SHBA që ky ambasador që fyen kësisoj përfaqësuesit e popullit të zëvendësohet menjëherë”, ka thënë Thaçi në Facebook. “Jam i bindur që një fjalor i tillë si ky i ambasadorit nuk është fjalor i diplomacisë amerikane”, ka thënë më tej ai.
Kujtojmë se ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se janë të neveritshme këto veprime të opozitës, duke kërkuar që të ketë një rifunksionalizim të Kuvendit, transmeton Koha.net.
“Jam këtu për të mbështetur Kuvendin e Kosovës. Duhet të ketë një Kuvend funksional që të zgjidhen problemet. Mua më vjen keq që kushtet e deputetëve janë minimale për të bërë punën e tyre, për shkak se disa persona nuk po e lejojnë këtë. Shumë qytetarë të Kosovës kanë ikur e kanë vdekur vite me radhë që të kenë këtë pavarësi, që të sot të jetojnë të lirë, kjo që po bënë opozita është e neveritshme”, ka thënë Delawie.