Po lexoja disa nga shënimet e Dr. Ratib Nabulsit. U ndala tek një ngjarje reale, diku në rrethinat e qytetit Xheda. Një histori e shkurtër me një mesazh të madh. Po e sjell në shqip për ju:
“Jetonte një beduin në veri të Xhedas, në Arabi Saudite. Ai posedonte një tokë të madhe, pronë e trashëguar. Kur qyteti nisi të zgjerohej, projektet mbërritën deri në kufijtë e pronës së tij. Kështu, beduini vendosi ta shiste pronën. Iu drejtua një agjensie, pronarët e së cilës ishin shumë të djallëzuar. Ia blenë për çerekun e vlerës reale.
Mbi atë pronë, nisën të ndërtonin një godinë të lartë. Ishin tre ortakë. I pari i tyre, u rrëzua nga lartësitë e ndërtesës, vdiq. I dyti, vdiq i shkelur nga një makinë, në një aksident të dhimbshëm.
I treti, e kuptoi se vdekja e dy ortakëve të tij ka lidhje me mashtrimin ndaj beduinit, prandaj vendosi ta kërkonte. Pas gjashtë muajsh kërkim, e gjeti zotërinë dhe i dha edhe treçerekët e shumës nga vlera reale e pronës së tij.
Beduini i tha një fjalë: “Ti e shpëtove veten tënde në kohë!”
Morali i ngjarjes: Sado që zemra e njeriut rreh dhe sado që është akoma gjallë, ai e ka në dorë ta shpëtojë veten e tij!”
Këtë mesazh dua t’ia drejtoj krejt atyre që abuzojnë me vakëfet e shenjta të muslimanëve, në një mënyrë a një tjetër; herë me zaptim, herë me mashtrim, herë ashtu e herë kështu: SHPËTOJENI VETEN SA JENI NË KOHË!
Duaja e atij që i është bërë padrejtësi, nuk ka perde!
Imam Muhamed B. Sytari