Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson u përpoq të sigurojë edhe një herë Europën se Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj sigurisë ne kontinentin e vjetër, veçanërisht në sprapsjen e kërcënimeve që vijnë nga Rusia.
Tillerson, i cili javën e ardhshme do të vizitoje disa kryeqytete europiane, tha se SHBA do të ishte e para që do t’i përgjigjej çdo sulmi ndaj një aleati evropian, sipas klauzolës 5 të NATO-s që parashikon mbrojtjen e ndërsjellët.
Komentet e bëra gjatë një fjalimi në Qendrën Ëilson në Uashington, synonin të shuanin shqetësimet se administrata “Trump” po tërhiqet nga aleanca me kërkesat që vendet anëtare europiane të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
Edhe pse kujtoi se vendet europiane duhet te marrin më shumë përgjegjësi për sfidat e tyre të sigurisë, ai pranoi se shumë vende i kanë rritur shpenzimet. Mes shteteve që kanë përmbushur angazhimin financiar përmendi edhe Shqipërinë. Kreu i diplomacisë amerikane ju drejtua në veçanti shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Vendeve ballkanike ne u themi “braktisini armiqësitë e vjetra, në mënyrë që paqja të bëhet e përhershme. Ju keni shansin të drejtoni një kurs të ri të historisë. Diferencat etnike midis vendeve nuk duhet të shndërrohen më në fronte konfliktesh. Shtetet e Bashkuara dhe bota dëshirojnë të shohin një brez të ri serbësh, kroatësh, shqiptarësh, boshnjakësh, kosovarësh dhe të tjerë, që të falin atë që ka ndodhur në të shkuarën, edhe në se nuk mund ta harrojnë atë kurrë”, tha Tillerson.
Tillerson përdori një gjuhë të ashpër ndaj Moskës, duke kritikuar veçanërisht ndërhyrjet e saj ushtarake në Gjeorgji dhe Ukrainë si dhe përzierjen në zgjedhjet dhe politikat europiane./TCH/