Tirana kërkon vetëpërmbajtje në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar pasditen e sotme lidhur me protestat e dhunshme që kanë përfshirë sot Prishtinën.

Në një njoftim për shtyp Ministria thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet aktuale në Kosovë dhe shpreh shqetësimin e saj për rastet e dhunës në rrugët e Prishtinës.

 

MPJ u bën thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të tregojnë vetë-përmbajtje dhe të distancohen nga aktet e dhunës, të cilat nuk i shërbejnë stabilitetit të vendit.

 

“Qetësia dhe rivendosja e rendit janë të një rëndësie parësore për t’i hapur rrugë zgjidhjes së problemeve dhe i shërben stabilitetit demokratik të Kosovës”, thuhet në reagimin e sotëm.

 

Gjithashtu MPJ fton forcat politike në Kosovë që të shfrytëzojnë institucionet dhe dialogun me qeverinë e sapo krijuar, si mundësi të vetme për qetësimin e situatës, dhe të përdorin të gjitha energjitë në adresimin e sfidave euro-atlantike të vendit.

Artikulli paraprakMaxhuni konfirmon: 56 policë të lënduar, 31 protestues të arrestuar
Artikulli vijuesZyrtare nga Policia: 72 policë të lënduar, 160 persona të arrestuar